Inspektorati Policor i Kosovës ka nisur një hetim preliminar ndaj zyrtarëve policorë, në rastin e arrestimit të ish-kreut të OVL UÇK-së, Faik Fazliu.

Sipas Policisë, Fazliu ishte arrestuar pasi kishte kanosur një zyrtar policor i cili ndodhej në detyrë zyrtare duke asistuar inspektorët e AUV-it në një kafiteri, lidhur me mosrespektimin e masave antiCovid19.

Ndërkohë, në media u publikuan pamje teksa gjatë arrestimit Faik Fazliu u rrëzua për toke. E pikërisht për këtë rast, IPK ka konfirmuar për media nisjen e një hetimi preliminar.

“Duke ju referuar kërkesës suaj ju njoftojmë se IPK pas publikimit të pamjeve ka filluar një hetim preliminar bazuar në autorizimet ligjore të saj”, thuhet në përgjigjen e IPK-së.