Interi vihet seriozisht pas Pepes

Në Francë nuk kanë dyshime dhe nga Italia vijojnë të vijnë konfirmime në lidhje me negociatat e Interit me Lille, për të marrë sulmuesin nga Bregu i Fildishtë, Nicolas Pepe.

“France Football” shkroi e para, për një ofertë prej 60 milionë eurosh për klubit zikaltër, për të rrëmbyer talentin e Lille, ndërsa presidenti i skuadrës franceze nuk ka mohuar zërat.

“Nuk mund të them emra skuadrash, por mund t’ju siguroj që në verë Pepe do të largohet dhe që do të ketë një listë të gjerë klubesh për të zgjedhur”, tha presidenti i Lille, Gerard Lopez, duke mos mohuar ofertën nga klubi zikaltër.

Në Itali shkojnë edhe më tej, pasi raportojnë se dy drejtuesit zikaltër, Marotta dhe Ausilio janë gati që një pjesë të 60 milionë eurove ta paguajnë me kartonin e sulmuesit francez Yann Karamoh, i cili është në huazim te Bordeaux.

Nicolas Pepe ka regjistruar shifra magjike këtë sezon, pasi deri tani ka shënuar 19 gola dhe ka asistuar 11 të tjerë, ndonëse aktivizohet si sulmues krahu.

Për futbollistin kanë shfaqur interes edhe skuadra si Bayern Munchen, Chelsea, por vetëm pas fundit të sezonit, do të mund të mësojmë se cili do të jetë destinacioni i ri i Pepe.