Gjatë verës

Interi synon transferimin e Hysajt

Aventura e kroatit Sime Vrsaljko me Interin ka përfunduar tashmë, pasi mbrojtësi do t’i nënshtrohet një operacioni, për t’u rikthyer më pas te Atletico Madridi, skuadër që zotëron kartonin e futbollistit.

Zikaltërit janë hedhur menjëherë në kërkim të një zëvendësuesi, ndërsa në janar kanë afruar në huazim mbrojtësin portugez Cedric Soares, i cili do të jetë pjesë e Interit deri në fund të sezonit, kohë gjatë të cilës do të duhet të bindë Spallettin për aftësitë e tij.

Gjithsesi Marotta dhe Ausilio nuk duan të gjenden të papërgatitur dhe sipas raportimeve të mediave pranë klubit zikaltër, kanë pasur një takim me menaxherin e Elseid Hysajt, Mario Giuffredi.

Zikaltërit kanë diskutuar me këtë të fundit mundësinë për të transferuar mbrojtësin shkodran në Milano, duke filluar që nga muaji qershor, por Marotta i ka bërë të qartë Giuffredit, se Interi nuk është i predispozuar për të paguar klauzolën dhe se do të ulej në tryezë, vetëm nëse De Laurentis do të ishte i hapur për ulje të çmimit.

Vlen të theksohet se pas 3 vitesh si titullar, Hysaj humbi këtë pozitë me largimin e Sarrit dhe afrimin e Ancelottit, ndërsa shpesh është folur për një largim të tij, por asnjë klub nuk ka qenë i gatshëm të paguajë 50 milionë eurot e parashikuara në klauzolën për prishjen e kontratës së mbrojtësit shkodran me klubin e Napolit.