Inteligjenca ruse sulmin e kualifikon si “akt terrorist”

Të shtënat në Moskë të enjten mbrëma mund të kenë qenë planifikuar që të konicidojnë me fjalimin e presidentit rus, Vlladimir Putin që po e mbante për të shënuar ditën ruse të shërbimit të sigurisë (FSB), i ka thënë Reutersit një burim i afërt me FSB-në.

Hetuesit rusë kanë hapur procedurat penale në lidhje me tentim-vrasjen e oficerëve të zbatimit të ligjit pas incidentit, ku mbetën të lënduar rëndë dy punonjës të FSB-së, ka raportuar agjencia ruse e lajmeve “Interfax” duke cituar ministrinë e shëndetësisë, raporton Reutersi.

Ndërkaq, “Interfax-i” ka raportuar se nga ky incident kanë mbetur të plagosur pesë persona.

Një punonjës i FSB-së është vrarë në këtë sulm, i cili ndodhi në një distancë pesë minutëshe në këmbë nga Kremlini, ku presidenti rus Putin po mbante një fjalim.

Një burim i ka thënë Reutersit se është dëgjuar një shpërthim afër selisë së FSB-së.

Kurse televizioni rus “RT”, ka thënë se Shërbimet Inteligjente ruse e kanë kualifikuar incidentin e armatosur si “akt terrorizmi”.