Inteligjenca Artificiale

Inteligjenca Artificiale po u shkakton probleme ligjore Bashkimit Evropian

Ligjvënësit e Bashkimit Evropian nuk mund të bien dakord se si të rregullojnë sisteme të tilla si ChatGPT, si pjesë e një rregullimi ligjor që synon të mbajë nën kontroll inteligjencën artificiale (AI), thanë gjashtë burime të paidentifikuara.

Negociatorët po takohen sot përpara bisedimeve përfundimtare që do të mbahen më 6 dhjetor mbi “modelet themelore” ose AI gjeneruese, e cila është bërë një pengesë e madhe në negociatat mbi një ligj të propozuar të BE-së për AI, thanë burimet, të cilët nuk pranuan të përmendeshin sepse biseda është konfidenciale, njoftoi reuters.

Modelet bazë si ai i krijuar nga OpenAI i mbështetur nga Microsoft janë sisteme të AI të trajnuar në grupe të mëdha të dhënash, me aftësinë për të mësuar nga të dhënat e reja për të kryer detyra të ndryshme.

Pas dy vitesh negociata, projektligji u miratua në maj në Parlamentin Evropian. Projekt-rregullat e AI tani duhet të miratohen në takimet ndërmjet përfaqësuesve të Parlamentit Evropian, Këshillit dhe Komisionit Evropian.

Ekspertët nga vendet e BE-së do të takohen për të sqaruar pozicionin mbi kornizat e modelit, qasjen në kodin burimor, penalitetet dhe tema të tjera, ndërsa eurodeputetët gjithashtu mblidhen për të finalizuar pozicionin e tyre.

Nëse nuk mund të bien dakord, ekziston rreziku që akti të vonohet për shkak të mungesës së kohës para zgjedhjeve parlamentare evropiane të vitit të ardhshëm.