Gazetarët, shoqëria civile dhe Avokati i Popullit deklaruan për KosovaPress se institucionet publike po vazhdojnë të jenë jo transparente në ofrimin e informacioneve të cilat kërkohen nga gazetarët. Marrja e një reagimi për një çështje të caktuar nga institucionet publike në vend po vazhdon të jetë sfidë ku pritja me javë për një përgjigje po e vështirëson punën e gazetarëve në informimin e publikut për çështje të caktuara.

Punën e gazetarëve nuk e ka lehtësuar as Ligji për Qasje në Dokumente Publike, i cili nuk po gjen zbatim. Përkundër që ligji e parasheh që institucionet duhet t’i përgjigjen kërkesës për qasje në dokumente publike brenda 7  ditëve prej kur parashtrohet kërkesa, shpeshherë nuk ka fare përgjigje nga institucionet.

Problematike mbetet edhe fakti që edhe në rastet kur ofrohet qasje në këto dokumente publike nuk jepen të gjitha informacionet e kërkuara.

Gazetari i të përditshmes “Koha Ditore” Fitim Gashi, thotë për KosovaPress se institucionet po vazhdojnë të jenë jo transparente veçanërisht kur kërkohen informacione që kanë të bëjnë me shpenzimet publike.

Ai thotë se institucionet më jo transparente vazhdojnë të jenë Presidenca, Qeveria dhe ministritë, për të cilat thotë se ka dërguar shumë pyetje e për të cilat nuk ka marrë përgjigje.

Gashi thotë se edhe pse Kosova ka një infrastrukturë të mirë ligjore sa i përket qasjes në dokumente publike, jo çdo herë institucionet ofrojnë këtë qasje ose edhe kur e ofrojnë atë qasje është shumë e mangët, pasi sipas tij nuk e ofrojnë atë informacion që është kërkuar.

Ai thotë se shpeshherë më lehtë ka marrë informacione nga sinjalizuesit sesa nga vet institucionet.

Të gjitha institucionet publike në kuadër të departamenteve të tyre kanë edhe zyrën për informim, por që këto zyra sipas gazetarit Gashi nuk u ofrojnë informacionet që i kërkojnë, pasi që shpesh herë ai thotë se nuk kthejnë përgjigje në pyetjet e dërguara.

Se gazetarët përballen me vështirësi për marrjen e informacioneve nga institucionet e vendit e thotë për KosovaPress edhe kryetarja e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Gentiana Begolli-Pustina./Ballkani.info/