covid-19

India regjistron mbi 200,000 viktima me koronavirus

Autoritetet indiane kanë thënë se në 24 orët e fundit kanë regjistruar 3,293 viktima me koronavirus, duke e çuar në mbi 200,000 totalin e viktimave në këtë shtet, prej shpërthimit të pandemisë.

Spitalet në Indi janë duke vazhduar që të përballen me mungesa të oksigjenit dhe pajisjeve tjera mjekësore.

Vala e dytë e pandemisë në Indi ka rezultuar me të paktën 300,000 persona të infektuar në ditë, gjithë javën e kaluar.

Vetëm një ditë më parë, autoritetet indiane kanë regjistruar 360,960 persona të infektuar, duke shënuar një tjetër rekord të infektimit ditor.

Ekspertët besojnë se shifrat zyrtare, që tregojnë se 18 milionë persona janë infektuar me koronavirus prej shpërthimit të pandemisë, nuk tregojnë saktë gjendjen në shtetin me 1.3 miliard banorë.

“Bota është duke hyrë në një fazë kritike të pandemisë dhe duhet të ketë qasje në vaksinim për të gjithë të rriturit, sa më shpejt që është e mundur”, ka thënë Udaya Regmi, udhëheqës i Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe në Azinë Jugore.

“Kjo është domosdoshmëri etnike dhe e shëndetit publik”, ka thënë ai.

“Teksa variantet përhapen, kjo pandemi është larg fundit”.

Në Nju Delhi ambulancat janë parë duke pritur në radhë me orë të tëra për të marrë viktimat dhe për t’i dërguar nëpër krematoriume të improvizuara nëpër parqe dhe parkingje.

Spitalet në dhe afër kryeqytetit indian kanë thënë se sasia e oksgjenit që kanë është shumë e vogël, pavarësisht përkushtimeve për të rritur furnzimet.

“Ne kalojmë ditën duke ulur nivelet e oksigjenit nëpër ventilatorë dhe pajisje tjera pasi tanket na tregojnë për nivele alarmuese”, ka thënë mjekja Devlina Chakravarty, nga spitali Artemis, në një lagje të Gurgaon, për të përditshmen Times of India.

“Ne bëjmë qindra thirrja në ditë dhe dërgojmë mesazhe për të siguruar kuotën ditore me oksigjen”.

Spitali Mayom nuk do të pranojë pacientë të rinj, përveç nëse kanë cilindra oksgjeni me vete, ka thënë shefi ekzekutiv i spitalit Manish Prakash, për kanalin televiziv NDTV.

Shefi i ministrave të Nju Delhit Arvind Kejriwal, ka thënë se njerëzit janë duke u sëmurë më keq dhe më gjatë, çka është duke rritur presionin.

“Vala aktuale është e rrezikshme”, ka thënë ai.

“Virusi është jashtëzakonisht ngjitës dhe ata që po infektohen nuk po mund të shërohen shpejt. Në këto kushte, qendrat e kujdesit intensiv janë të mbigarkuara”.