Ilir Shaqiri, poezi: Naisus – Lisus

Qielli ishte mrrolur tej-tej Ilirisë,
Naisus – Lisus, udhë gurrështerpë e gjatë,
terri i natës shqyhej në brirët e dhisë,
atdheun e pamatshëm po e matë me shpatë.
Shtegësit aziatikë fërkemeve të njoma
silleshin si në kotar udhishtës së lashtë,
s’kishin kokë t’i njihnin alegoritë tona:
patkonjtë e kuajve sesi mbathën mbrapsht.
Kreshta të argjendta u shfaqën përballë,
atllarët e djersitur të etur për ujë,
krojet e Ujëbardhës buruan si në përrallë
kur troku i treqindtëve trokëlliu në Krujë!
U zgjuan arbërorët, princat morën zemër,
dufi i tyre i mbledhur krushkohej mbi dhe
dhe ja në mes nesh në Kuvend të Lezhës,
Gjergji i lavdishëm – prijësi Skënderbe.
Mbi kala flakëruan krenat e kryezogut,
një sy nga lind dielli – tjetri n’perëndim,
tej cepit të Istrës, tej-tej valëve të Jonit
andej, gjerë-e-gjatë është atdheu im!
Sipër Torviollit, qëkur shfryu furinë
mërmëriti qiell, rrap e rrënjë e gjethe,
e pakapërcyeshmja ndriti Arbërinë,
Evropa e trembur zuri të fle pa ethe…
ISh