Ilir Deda pas takimit me zyrtarët amerikanë: Marrëdhëniet po minohen e minimi është shkatërrim

Deputeti i Alternativës, Ilir Deda, i cili është takuar me zyrtarët amerikanë që kanë qëndruar në Kosovë, ka thënë se situata e raporteve me SHBA-në është shumë serioze.

Kujtojmë se zyrtarët e lartë amerikanë, drejtori kryesor për Çështje Evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Erath, dhe drejtori për Ballkan të Këshillit Kombëtar të Sigurisë së SHBA-së, Brad Berkley, u takuan në Kosovë me partitë opozitare, përpos Vetëvendosjes.

“Situata është shumë serioze, sa u përket raporteve Kosovë-SHBA, dhe jo serioze për të mirë. Kur një marrëdhënie të minohet, ajo bëhet e pariparueshme. Unë vetëm mendoj që duhet të lexohet në të gjitha kuptimet dhe dimensionet fjala minim. Minim do të thotë shkatërrim”, ka thënë ai për televizionin publik.

Ai ka thënë se Thaçi nuk e ka thënë të vërtetën për korrigjimin e kufijve.

“Për mua ka qenë shumë e rëndësishme që ata ta kuptojnë që ideja e ndryshimit të kufijve nuk ka mbështetje në Kosovë. Ky realitet ishte i qartë edhe për ata. Presidenti Thaçi nuk e ka treguar të vërtetën duke thënë se e ka përkrahjen e SHBA-së për atë ide. Të gjithë ata që janë për ruajtje të integritetit territorial të Kosovës duhet të ndihen më të sigurt”, ka thënë Deda.