IKD: Kuvendi u injorua nga Qeveria

Instituti i Kosovës për Drejtësi e ka vlerësuar të dobët punën e Kuvendit të Kosovës gjatë vitit 2022.

IKD ka thënë se Kuvendi nisi punën pa miratuar Programin e Punës për vitin 2022, edhe pse një program i tillë parashihet me Rregulloren e Kuvendit të Kosovës, dhe pa miratuar edhe programin e punës të sesionit vjeshtor në seancë plenare.

Ndërsa, tha se viti 2022 e karakterizoi Kuvendin me numër të madh të pikave të rendit të ditës nga seancat e mbetura nga viti 2021.

“Seancat e rregullta të Kuvendit janë karakterizuar me vazhdime të shumta të seancave, që përbëjnë 53% të totalit të seancave të rregullta. Kontrolli parlamentar lidhur me punën e qeverisë dhe mbikëqyrjes së institucioneve të pavarura pothuajse ka qenë inekzistent. Në së paku 18 raste, Kuvendi ka dështuar të miratojë raportet vjetore të institucioneve kushtetuese dhe agjencive të pavarura. Po ashtu, ka dështuar në 18 raste të zgjedhë organet kolegjiale dhe inviduale, duke bërë pengesë të funksionimit të tyre”, thuhet në raportin e IKD-së nga monitorimi i punës së Kuvendit për vitin 2022.

Sa i përket llogaridhënies së Qeverisë përballë Kuvendit, IKD-ja ka gjetur se Kuvendi u injorua nga Qeveria, përderisa Kryetari i Kuvendit apo Kryesuesi i seancës nuk morën masa ndaj Qeverisë, ashtu siç kërkohet me Rregullore.

“Edhe kjo legjislaturë, është karakterizuar nga gjuha jo parlamentare, polarizimi i skajshëm ndërmjet deputetëve dhe grupeve parlamentare dhe po ashtu ndërmjet deputetëve dhe kabinetit qeveritar”, thotë raporti i cili është prezantuar nga Naim Jakaj.

Në raport thuhet se gjatë vitit të kaluar 9% e deputetëve janë përballur me ligjin.

Kurse, theksohet se transparenca dhe llogaridhënia e Kuvendit mbetet sfidë.

“Mbledhjet e komisioneve parlamentare vazhdojnë të mos transmetohen nga Kuvendi. Ndërsa jashtë funksionit mbetet votimi elektronik në seancat plenare, duke pamundësuar informimin e qytetarëve për votat e tyre”.

Në lidhje me aktivitetin legjislativ, puna e Kuvendit është përcjellë me joefikasitet, sipas IKD-së.

“Në secilën seancë plenare, projektligjet janë bartur nga një seancë në tjetrën për shkak të mungesës së kuorumit nga ana e shumicës parlamentare dhe mos pjesëmarrjes së opozitës në procesin e votimit. Në fund të vitit 2022, Kuvendi nuk i ka shqyrtuar në parim nëntë projektligje dhe në lexim të dytë dy projektligje. Përkundër faktit që i ka shqyrtuar, Kuvendi nuk ka arritur të vendosë për tre projektligje në lexim të parë dhe për një projektligj në lexim të dytë. Këto projektligje janë bartur për shqyrtim dhe votim në sesionin pranveror të vitit 2023”.

Kuvendi, për më tej, nuk e ka votuar asnjë projektligj të sponsorizuar nga ana e grupeve parlamentare opozitare (4 prej tyre), në ndërkohë ka votuar për dy projektligje të sponsorizuara nga grupi parlamentar i shumicës parlamentare.

Jakaj ka thënë se Kuvendi ka rritur përdorimin e praktikës së shmangies së afateve të parapara me rregulloren e Kuvendit në lidhje me shqyrtimin e projektligjeve të rëndësishme.

“11% e projektligjeve janë miratuar në procedurë të përshpejtuar, ku në të shumtën e rasteve, përshpejtimi u propozua nga GP i LV-së”.