Kuvendi

IKD: Dy vite pritje për miratim të dhjetëra Projektligjeve, partia në pushtet të sigurojë numrat

Instituti Demokratik i Kosovës ka publikuar një listë të projektligjeve që janë vonuar për miratim në Kuvend.

KDI thotë se miratimin e Kuvendit mbi 2 vite e presin Projektligjet si ai për festat zyrtare, për vetëqeverisjen lokale, bujqësinë, tokën ndërtimore, aktet juridike dhe faljen e masave ndëshkimore gjatë pandemisë COVID-19.

Përveç tyre, në Kuvend mbi 1 vit po presin miratimin edhe 7 Projektligje tjera, ndër to ai për lotarinë, arsimin e lartë, tekstet shkollore, për verërat, për lirinë fetare, për shëndetin riprodhues dhe fertilizimin e asistuar mjekësor si dhe Projektligji për tatimin në pronë.

Sipas KDI’së, arsyeja pse ende nuk janë miratuar disa nga projektligjet në fjalë është kryesisht për shkak se për miratimin e tyre nevojitet shumica e dyfishtë, konkretisht shumica e votave nga komunitetet jo-shumicë.

“Për shkak të bojkotimit të Kuvendit nga ana e Listës Serbe, mbetet e paqartë se kur do të miratohen këto projektligje nga ana e Kuvendit. Gjithashtu, rikthimi potencial i kësaj partie në Kuvend nuk garanton përkrahje për miratimin e tyre.”

KDI bën të ditur se vonesa ka pasur edhe në miratimin e disa projektligjeve që nuk janë të sponzorizuara nga Qeveria si ai për tatimin në pronë apo ai për faljen e masave ndëshkimore të pandemisë.

“Në rastet tjera, vonesa ka pasur në miratimin e disa prej projektligjeve që nuk janë sponzoruar nga Qeveria, e cila rëndom shtynë përpara agjendën e saj legjislative. Projektligje si ai për tatimin në pronë që është propozuar nga 6 deputetët të opozitës apo ai për faljen e masave ndëshkimore të pandemisë që është propozuar nga mbi 10 mijë qytetarë, presin ende radhën për tu miratuar.”

KDI ka përmendur edhe mosvotimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

“Sipas Rregullores së Punës, koha që i nevojitet Kuvendit për të miratuar një Projektligj llogaritet të jetë rreth 6 muaj. Përjashtim nga ky rregull bëjnë marrëveshjet ndërkombëtare të cilat parashihet të miratohen brenda 3 muajve. Megjithatë, edhe miratimi i tyre është zvarritur me muaj të tërë, nga mungesa e konsensusit mes pozitës dhe opozitës, që ka pamundësuar sigurimin e 2/3 të votave të nevojshme.”

KDI thotë se vonesat në miratimin e projektligjeve reflektojnë mungesën e efikasitetit të institucionit të Kuvendit dhe ndikojnë drejtpërdrejtë dhe negativisht në mirëqenien e qytetarëve.

“Për të adresuar këtë çështje, KDI inkurajon dialogun dhe bashkëpunimin ndërmjet partive politike të pozitës dhe opozitës dhe partive nga radhët e komuniteteve jo shumicë. Është e domosdoshme që të gjenden mënyra efektive për të siguruar që procesi legjislativ të jetë efikase dhe në përputhje me nevojat dhe kërkesat e qytetarëve.”