​IKD: Drejtësia dështoi në luftimin e korrupsionit

Lufta kundër korrupsionit edhe gjatë vitit të kaluar (2022) nuk ka shënuar rezultate të pritshme dhe mbetet sfidë për sistemin e drejtësisë. Sipas të gjeturave të raportit “Dështimi i drejtësisë në luftimin e korrupsionit” të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) që u publikua të shtunën Prokurori i Shtetit ka pësuar regres në zgjidhjen e rasteve të korrupsionit, pasi numri i rasteve të pazgjidhura ka shënuar rritje për 314 lëndë. Ndërsa edhe në gjykata, numri i lëndëve të pazgjidhura ka shënuar rritje, me tetë të tilla.

Gëzim Shala, hulumtues i lartë në IKD, deklaroi se gjatë vitit të kaluar Prokurori i Shtetit ka zgjidhur lëndët e 826 personave derisa ka pranuar lëndë për 1140 persona, duke bërë që në fund të vitit numri i lëndëve të pazgjidhura të korrupsionit të rritet.

Shala tha se gjatë vitit 2022, Prokurori i Shtetit ka akuzuar 98 persona për vepra të ndryshme penale nga kapitulli i veprave të korrupsionit. Më së shumti aktakuza ka ngritur Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (25) dhe më pas Prokuroria Themelore e Prishtinës (19). Ndërsa, numrin më të ulët të personave të akuzuar për korrupsion e ka Prokuroria Themelore e Ferizajt (3).

Mirëpo, nga 98 personat e akuzuar për korrupsion, vetëm 8 prej tyre i takojnë profilit të lartë. Dhe nga ky numër vetëm një është që është akuzuar gjatë kohës sa ka qenë zyrtar.

“Gjatë vitit 2022 nuk mund të themi se lufta e Prokurorit të Shtetit në drejtim të korrupsionit ka qenë e fokusuar në drejtim të profilit të lartë korruptiv. Në këtë linjë nëse i shohim prej këtyre 8 personave që janë akuzuar për korrupsion si persona të profilit të lartë, vetëm një prej tyre është akuzuar gjatë kohës sa ka qenë zyrtarë, ndërsa 7 të tjerë kur të njëjtit e kanë përfunduar funksionin e tyre për çka akuzohen. Kjo lë një shije te publiku se Prokurori i Shtetit po akuzon vetëm personat e profilit të lartë në një kohë kur ata vetëm po e humbin fuqinë e jo gjatë kohës sa të njëjtit janë duke ushtruar pozicionet e tyre zyrtare për të cilat akuzohen”, deklaroi Shala.

Sa i përket dëmit të pretenduar përmes veprave penale korruptive për të cilat Prokuroria ka ngritur aktakuza, IKD thotë se dominon vlera e dëmit në mes 10 mijë deri në 50 mijë euro. Rasti me dëmin më të lartë të pretenduar nga Prokuroria është aktakuza në rastin “53 milionësh” ndaj ish-ministrit Pal Lekaj dhe 3 të akuzuarve të tjerë.

Duke u ndalur të provat e Prokurorisë, Shala deklaroi se nga 20 aktakuza që kanë analizuar të përzgjedhura në bazë të metodës rastësore, kanë gjetur se në asnjërën prejtyre Prokurori i Shtetit nuk ka aplikuar masa të fshehta me rastin e zhvillimeve të hetimeve.

Shala tha se Prokuroi i Shtetit më shumë po bën hetim administrativ në rastet e korrupsionit se sa një hetim penal.

“Nëse i analizojmë provat, IKD ka gjetur se asnjë nga këto aktakuza nuk ka aplikuar masa të fshehta të hetimeve. Nëse i shohim përgjithësisht provat, janë deklaratat e palëve, kontrata, raportet e policisë, dëshmitarë, e të tjerë, dhe nëse në bazë të këtyre provave shohim natyrën e hetimit atëherë del se Prokuroi i Shtetit më shumë po bën hetim administrativ në rastet e korrupsionit se sa një hetim penal dhe që fatkeqësisht në shumë raste kjo më pas po reflektohet edhe në gjykatë pasi Prokuroria e Shtetit ka ngritur një numër të konsiderueshëm të aktakuzave derisa në gjykatë këto aktakuza po përfundojnë në hedhje ose aktgjykime liruese për shkak të mungesës së provave dhe për këtë IKD rekomandon fuqishëm që në përputhje edhe me rekomandimet e Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër korrupsionit që të ketë një orientim tjetër të Prokurorit të Shtetit sesi e lufton korrupsionin në kuptim të provave që mbledh në kuptim që këto aktakuza të provohen në gjykatë”, tha Shala.

Hulumtuesi i IKD-së, Lavdim Makshana, tha se është shënuar regres sa i përket efikasitetit të trajtimit të rasteve gjyqësore të korrupsionit. Sipas tij, gjykatat në shkallë të parë nuk arritën që të zgjidhnin lëndë aq sa pranuan, e rrjedhimisht edhe numri i lëndëve të pazgjidhura të korrupsionit ka pësuar rritje.

Ai tha se në fillim të vitit 2022 gjykatat kishin në punë 275 lëndë të korrupsionit. Përkundër që qëllimi ishte zvogëlimi i këtij numri, në fund të vitit 2022, ky numër u rrit për tetë lëndë ndërsa numri i personave të akuzuar u ngrit për 11 persona.

Një tjetër shqetësim që theksoi Makshana, ishte ajo për vjetërsinë e lëndëve aktive në gjyqësor. Sipas tij, kategorizimi i lëndëve të korrupsionit si lëndë me prioritet absolut nuk është reflektuar në praktike.

“IKD gjatë monitorimit ka gjetur raste të korrupsionit për të cilat aktakuza është ngritur qysh para 14 vitesh. Pra, ka aktakuza të cilat janë ngritur qysh nga viti 2009. Janë diku rreth 9 raste të korrupsionit aktakuzat e të cilave janë ngritur prej vitit 2009 deri në vitin 2015 që tregon për mos efikasitet por edhe për neglizhencë të trajtimit të rasteve të korrupsionit duke e ditur që tash edhe në vitin 2023 këto lëndë ende nuk kanë marrë një epilog përfundimtar”, tha ai.

Makshana deklaroi se efikasiteti në trajtimin e lëndëve të zgjidhura ka pësuar regres edhe në Gjykatën e Apelit, kjo pasi për dallim nga fillimi i vitit 2022 ku Apeli kishte 8 lëndë të pazgjidhura në fund të vitit ky numër është ngritur në 19 lëndë.

Sa i përket politikës ndëshkimore në rastet e korrupsionit, në shumicën e rasteve dënimet e shqiptuara janë me gjobë. Sipas IKD-së, kjo politikë ndëshkimore, me dënime të buta apo të ulëta përçon mesazh negativ tek qytetarët.

“Mbi 60% e rasteve dënimet kanë qenë dënime të shqiptuara me gjobë. Dënimet e korrupsionit dhe këto dënime të buta kanë qenë subjekt edhe i trajtimit edhe të raporteve ndërkombëtare, përkatësisht raportit të DASH dhe të Raportit të Progresit që lufta ndaj korrupsionit po bëhet me dënime të buta”, deklaroi Makshana.

Në fund, Makshaka potencoi edhe mos aplikimin e dënimeve plotësuese ndaj veprave penale të korrupsionit edhe pse sipas legjislacionit në fuqi aplikimi i tyre është obligativ dhe jo diskrecional.