Sulmuesi suedez

Ibrahimovic mendon se Premier League është e mbivlerësuar

Emri i tij është bërë sërish joshës për merkaton, por Zlatan Ibrahimovic nuk është tipi i lojtarit që mund të kthehet sërish në Europë për të mbyllur në qëtësi e pa bujë mediatike karrierën e tij.

Edhe nga përtej oqeanit pikërisht në Los Angeles, ku impenjohet me L.A. Galaxy, Ibra vijon serinë e tij të thumbimeve ndaj futbollit kualitativ. Këtë herë në lupën e kritikave të suedezit ka përfunduar futbolli anglez.

“Premier League për mua ishte shumë sitmuluese dhe emocionuese, edhe pse në aspektin e kualitetit individual të lojtarëve dhe teknikës mund të them se është e mbivlerësuar. Gjithsesi, mbetet një kampionat me ritme të larta, në këtë kontekst edhe nëse ti je një prej lojtarëve më të mirë nëse nuk arrin të ruash dot ritmin e Premier Leagues atëherë nuk do të kesh sukses në të. Futbolli anglez ishte me fat që unë nuk luajta atje dhjetë vjet më parë, pasi do kisha ndërtuar një dinamikë tërësisht të re. Nëse arrita shumë atje në moshën 35-vjeçare imagjinoni çfarë do të kisha bërë dhjetë vjet më i ri”, tha Ibrahimovic.

Në të vërtetë bilanci i suedezit tek Manchester United flet për 28 gola në 46 sfida, një Kupë Lige dhe një trofe të Europa Leagues të fituar në eksperiecën e tij të shkurtër me “Djajtë e Kuq”, përkatësisht sezonin 2016/2017 më parë se të dëmtohej. Rikthmi i tij pas rikuperimit në sezonin pasardhës i lejoi vetëm 7 prezenca dhe 1 gol të shënuar.

“Po të kisha luajtur në Premier League në moshën 25-vjeçare do të flisnim ndryshe. Gjithsesi, jam shumë krenar që kam qenë pjesë e United dhe për arritjet e mia me këtë klub, ishte i duhuri për mua. Do të jem gjithnjë i lidhur me tifozët e “Djajve të Kuq”, deklaroi Ibrahimovic.