Ibrahimovic gjithnjë e më pranë rikthimit te Milani

Zlatan Ibrahimovic që e kaloi këtë vit në rradhët e LA Galaxy në MLS është në bisedime të avancuara me Milanin për t’u rikthyer në “San Siro”.

Sulmuesi suedez ka shënuar 22 gola gjatë kohës së tij në kampionatin amerikan teksa e fitoi çmimin e lojtarit më të mirë të transferuar në MLS.

“Goal” raporton që marrëveshja mund të finalizohet pas pak ditësh nëse arrihen detajet e kërkuara nga të dyja palët, me 37 vjeçarin që pritet t’i bashkohet skuadrës së Gattusos për 3 muajt gjatë të cilave pushohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, natyrë e transferimit që Milani e pati aplikuar dy herë me David Bechkham para afro 10 viteve.

Ibrahimovic e njeh mirë kampionatin italian gjersa më herët është aktivizuar te Juventusi, Interi dhe Milani, me të cilët fitoi “Scudetton” në edicionin 2010-2011, derisa prej asaj kohe “Rosonerët” nuk kanë triumfuar në Serie A.

Milani synon që sulmuesit të ri Patrick Cutrones t’i shtojë edhe eksperiencën e Ibrahimovicit që së bashku me Gonzalo Higuainin do të përgatisin 20 vjeçarin për të qenë pikë referuese e sulmit “Rosonerë” në të ardhmen.

Gjiganti i sulmit u largua nga “San Siro” në vitin 2012 për të iu bashkuar Paris Saint Germainit.