I përkëdheluri i Vuçiqit dhe Putinit, Aleksandar Vulin, në tentativë për të manipuluar me të ashtuquajturën “Shtëpi e Verdhë”

Serbia vazhdon të prodhojë propagandë kundër Kosovës dhe ish liderëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. 23 vjet pas luftës shteti serb nuk pajtohet me realitetin e Kosovës së pavarur, prandaj mundohet në çdo situatë të bëjë dëm aq sa mundet duke përdorur pikërisht armën më të fuqishme – gënjeshtrën përmes vizualizimit.

Pas prodhimit të disa dokumentarëve për humbjen e luftës në raport me UÇK-në, duke tentuar që faktet t’i shtrembërojnë deri në atë masë sa që edhe vetë nuk iu besojnë, Serbia tash po tenton të manipuloj sërish me të ashtuquajturën “Shtëpi e Verdhë”.

E ashtuquajtura “Shtëpi e Verdhë” në Shqipëri ishte shpikur pikërisht nga regjimi serb në tentim të manipulojnë se aty ishin kryer “transplante dhe trafikim organesh”. Mirëpo pas shumë hetimeve ndërkombëtare, doli që aty nuk u gjet asgjë dhe se asgjë nuk kishte ndodhur. Këtë e konfirmoi edhe raporti i ish krye-hetuesit të Gjykatës Speciale, Clint Williamson, i cili tha qartë se nuk kishte trafikim organesh.

Derisa në Hagë po mbahen ish krerët e UÇK-së dhe procesi ndaj tyre pritet të fillojë brenda disa muajve, ministri serb i Punëve të Brendshme, Aleksandar Vulin është hedhur në aksion për ta ringjallur tregimin për “Shtëpinë e Verdhë”.

Vulin, i cili njihet për deklaratat antishqiptare dhe për afërsinë me Vladimir Putinin, ka marrë përsipër prodhimin e dokumentarit të titulluar “Shtëpia e Verdhë” në bashkëpunim me Radio Televizionin Publik të Serbisë.

RTS-i deri më tash i ka prodhuar disa filma dokumentar, ndërkaq më i njohur mbetet ai për Betejën e Koshares, ku megjithatë pranohen humbjet e mëdha të ushtrisë serbe si në pajisje ashtu edhe në personel.

Vulin, dikur pjesë e partisë JUL të Mira Markoviq, bashkëshortes së ish “kasapit të Ballkanit”, Sllobodan Millosheviq, e ka vizituar ditë me parë ekipin e xhirimit të këtij “dokumentari”.

Në njoftimin e MPB-së së Serbisë, thuhet se “Aleksandar Vulin e ka vizituar ekipin e filmit  ‘Shtëpia e Verdhë’, të serialit të tretë dokumentar në kuadër të ‘Dosjes së Kosovës’, të cilin MPB-ja po e xhiron në bashkëpunim me Radio Televizionin e Serbisë. Vulin ka thënë se xhirimi i këtij filmi është borxh i Serbisë ndaj pasardhësve dhe mënyra për të thënë të vërtetën, që vdekja e viktimave të mos jetë e kotë”.

Në pamjet e publikuar në Facebook, afër Vulinit shihen dy persona me veshje kamuflazhi dhe emblema të UÇK-së.