Gjykata Themeloren në Gjakovë ka konfirmuar se Granit Elshani i dënuar nga Gjykata e Apelit me 24 vite burgim, nuk është gjendur në shtëpi për t’u dërguar në paraburgim, me që rast ka lëshuar letër rreshtim vendor.

Fillimisht Apeli me vendim të veçante ia kishte caktuar Elshanit masën e paraburgimit derisa aktgjykimi të marrë formë të prerë por jo më shumë sesa dënimi i shqiptuar prej 24 vitesh burgim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykata Themelore në Gjakovë ka konfirmuar se bazuar në vendimin e Apelit kanë lëshuar urdhëresë për Stacionin Policor në Pejë që Elshani të dërgohet në paraburgim nga shtëpia e tij.

Por se, sipas përgjigjes, kur Policia ka shkuar për zbatim të urdhëresës Elshani nuk është gjetur në shtëpinë e tij. Sipas deklarimit të familjarëve, Elshani nuk ndodhet në Kosovë

“Nga raporti i Policisë për zbatimin e urdhëresës, jemi njoftuar se i pandehuri G.E. nuk është gjetur në shtëpi, dhe sipas deklarimit të familjarëve të tij, ai nuk ndodhet në Kosovë”, thuhet në përgjigjen e gjykatës.

Prandaj Themelorja në Gjakovë bazuar në raportet e Policisë ka konstatuar se janë plotësuar kushtet ligjore që ndaj Elshanit të lëshohet urdhër për shpalljen e Letërreshtimit vendor.

“Gjykata, duke u bazuar në faktet e lartpërmendura, ka konstatuar se janë përmbushur kushtet ligjore për të lëshuar urdhër për shpalljen e Letërreshtimit vendor. Sot, më datën 27.09.2024, është lëshuar Letërreshtim vendor, i cili do të shpallet nga Policia e Kosovës – Stacioni Policor në Pejë, në të gjitha Stacionet Policore të Kosovës dhe në të gjitha pikat kufitare të Republikës së Kosovës”, thuhet më tej në përgjigje.

Kur u dënua Granit Elshani?

Gjykata Themelore në Pejë, në maj të vitit 2018, i kishte dënuar me 25 vjet burgim, Granit Elshanit. Mirëpo, në tetor 2018, Gjykata e Apelit e kishte anuluar aktgjykimin në fjalë.

Pas transferimit të lëndës në Gjykatën Themelore në Gjakovë, Granit Elshani më 14 mars 2023 është dënuar me 24 vite burgim për akuzën se më 2 janar 2010, në diskotekën “City Club” në Pejë, kishte shtënë me armë zjarri, ku për pasojë i vrarë kishte mbetur B.Sh. Këtë vendim e kishte vërtetuar Apeli, por e ka kthyer në rigjykim Gjykata Supreme.

Por, Gjykata Themelore në Gjakovë, në rigjykimin e dytë më 30 nëntor 2023, kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj Granit Elshanit.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të ngritur më 25 nëntor 2016, Elshani akuzohej se më 2 janar 2010 në diskotekën “City Club”, në Pejë, kishte shtënë me armë zjarri, ku për pasojë i vrarë kishte mbetur B.Sh.

Gjykata e Apelit ka vërtetuar se më 02.01.2010, rreth orës 22:45, në një diskotekë në Pejë, e cila gjendet në afërsi të sheshit “Haxhi Zeka”, me qëllim hakmarrjeje për ta privuar nga jeta të dëmtuarin V. K., Granit Elshani me dashje eventuale ka privuar nga jeta viktimën B. Sh. dhe ka rrezikuar jetën e të dëmtuarve V. K. dhe A. B. dhe një numri të madh të personave të pranishëm, shkruan Kallxo.com.

Dispozitivi i aktgjykimit përshkruan se në natën kritike Granit Elshani ka hyrë në diskotekë, ku po festohej Viti i Ri, me qëllim për ta privuar nga jeta V. K., dhe ka nxjerrë dy armë, një revole ngjyrë të zezë dhe një ngjyrë të bronztë dhe ka filluar të gjuajë në drejtim të tij, me ç’rast në afërsi me V. K. ishte viktima B. Sh.

Nga këto gjuajtje viktima B. është goditur nga një predhë në gjoks, e cila i ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme, ndërsa V. K. po ashtu goditet me një predhë në gjoks, me ç’rast është plagosur dhe ka pësuar lëndime të rënda trupore.

Aktgjykimi përshkruan se i akuzuari në largim e sipër nga vendi i ngjarjes, me dy armët që i mbante në duar përpjetë, ka vazhduar të gjuajë në drejtime të ndryshme brenda lokalit dhe me këtë rast me një predhë e ka goditur të dëmtuarën A. B., duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore. E njëjta po festonte Vitin e Ri me miqtë e saj.

I akuzuari me gjuajtjet me armë, sipas vendimit, ka vënë në rrezik një numër të madh të personave që ishin duke festuar në diskotekë.

Gjykata më tej ka vërtetuar se në largim e sipër nga vendi i ngjarjes, Granit Elshani është vërejtur dhe përcjellë nga i dëmtuari – zyrtari policor H. B., i cili nuk ishte në detyrë zyrtare në natën kritike, por ishte në diskotekë duke festuar.

Gjatë ikjes, sipas vendimit, i pandehuri Granit Elshani ka shtënë në ajër dhe e ka gjuajtur me pistoletë policin i cili po përpiqej ta ndalonte, duke i shkaktuar të njëjtit lëndim të rëndë trupor.

Në dënimin me burgim të akuzuarit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim prej datës 25.10.2016, e deri më 30.11.2023.

Prokuroria Speciale pretendon se në konfliktin mes dy familjeve janë kryer 29 sulme të cilat kanë rezultuar me 23 të vrarë – 10 pjesëtarë të familjes Kelmendi, tre të familjes Elshani dhe dhjetë viktima të rastit. Në mesin e të vrarëve janë edhe dy fëmijë.

Më 31.05.2018 Granit Elshani ishte dënuar për herë të parë nga Gjykata e Pejës me 25 vjet dënim me burgim por Apeli rastin e kishte kthyer në rigjykim.

Lidhur me këtë rast, Elshani për herë të dytë më 14.03.2022 ishte dënuar nga Gjykata e Gjakovës me 24 vjet burgim nën akuzën se ka kryer 1 vrasje dhe 2 vepra tjera penale.

Ky vendim ishte apeluar nga palët duke kthyer rastin në rigjykim për t’u gjykuar nga Gjykata e Gjakovës.

Me 26.02.2024 Gjykata e Gjakovës e kishte liruar nga dy akuzat Granit Elshanin.

Historitë e Granit Elshanit: Nga vetëdorëzimi deri te dënimi dhe vrasjet ndërmjet familjeve Elshani dhe Kelmendi

Me dënimin prej 25 vitesh burg, Gjykata Themelore në Pejë e ka mbyllur në shkallë të parë të mërkurën njërën prej ngjarjeve më të bujshme të qytetit.

Besart Shabi ishte vrarë ndërsa tre persona të tjerë përfshirë policin Hasan Buçaj dhe qytetarët Valdet Kelmendi dhe Arta Bardhi ishin plagosur në njërën prej përballjeve më publike në mes familjeve Elshani e Kelmendi.

Trupi gjykues i drejtuar nga gjykatësi vendor Sami Sharraxhiu ka konstatuar se Granit Elshani ishte përgjegjësi për ngjarjen e natës së dytë të vitit të ri në njërën nga diskotekat e Pejës.

Sipas përshkrimit të gjykatësit Granit Elshani do vuajë 25 vite burgim për veprimet e tij natën e 2 janarit 2010. Gjykata ka konstatuar se Granit Elshani ishte futur në diskotekë dhe me dy revolverë kishte shtënë në drejtim të Besart Shabit e Valdet Kelmendit. Gjykata ka konstatuar po ashtu se Granit Elshani pasi kishte goditur dy viktimat kishte shtënë edhe në drejtime të tjera. Nga këto të shtëna ishte plagosur Arta Bardhi. Jashtë diskotekës, sipas konstatimit të gjykatës, Granit Elshani kishte plagosur edhe policin Hasan Buçaj i cili ishte vënë në ndjekje të personit që kishte shtënë në diskotekë.

Nga paslufta qyteti i Pejës ishte shndërruar në një arenë vrasjesh publike të njerëzve me nam në qytet. Vrasja publike e Valdet Kelmendit, në mars të vitit 2014, pjesëtarit të familjes Kelmendi që në qytet njihej si Lara përfshiu në rast një prokuror ndërkombëtar të EULEX-it. Një bastisje masive ishte kryer në Ozdrim të Pejës por ende rezultatet e hetimit nuk kanë zbuluar se kush ishin personat përgjegjës.

Dorëzimi

Dy vite pas vrasjes së Valdet Kelmendit, para stacionit të policisë në Pejë kishte ndaluar një makinë pa targa.

Siç shkruhet edhe në raportet e policisë, më 25 tetor Granit Elshani ishte vetëdorëzuar në stacionin e policisë në Pejë pas disa vitesh në kërkim pas ngjarjeve në diskotekë.

Dorëzimi i tij hapi njërin prej proceseve të para publike në gjykimin e çështjeve Kelmendi- Elshani.

Në muaj pas vetëdorëzimit, një prokuror i EULEX-it ngriti aktakuzën ndaj Granit Elshanit.

Në aktakuzën e tij prokurori e kishte përshkruar se konflikti në mes dy familjeve kishte marrë jetën 23 personave ndërsa ngjarja e diskotekës City Club ishte ndërlidhur me këtë konflikt.

Siç përshkruhet në aktakuzën e prokurorit, natën kritike Granit Elshani shënjestër të vrasjes kishte anëtarin familjes Kelmendi, Valdetin, por fatin e keq e kishte Besart Shabi, i cili kishte qëlluar afër tij.

Në aktakuzë thuhet se Graniti i takon familjes Elshani nga Ozdrimi i Pejës e cila ka qenë në gjakmarrje kundër familjes Kelmendi që nga viti 2000.

Siç e përshkruan prokurori, në konfliktin mes këtyre dy familjeve kanë ndodhur 29 sulme  të cilat kanë rezultuar me 23 të vrarë – 10 pjesëtarë të familjes Kelmendi, tre të familjes Elshani dhe dhjetë viktima të rastit. Në mesin e të vrarëve janë edhe dy fëmijë.

Gjatë incidenteve, siç përshkruan prokurori, janë plagosur 38 persona, prej të cilëve pesëmbëdhjetë nga familja Kelmendi, shtatë nga familja Elshani dhe 16 viktima të rastit.

Gjykimi i Granit Elshanit

Në tërë përballjen e tij me gjykatën, Granit Elshani kishte mohuar se kishte qenë personi që kishte shtënë me armë zjarri në diskotekë.

http://kallxo.com/granit-elshani-deklarohet-pafajshem-per-vrasjen-e-vitit-2010/

Një mori dëshmitarësh të prokurorisë nuk kanë arritur ta identifikonin Elshanin si personi që kreu vrasjet.

Hasan Buçaj, polici i plagosur i cili ishte vënë në ndjekje të personit, nuk ka arritur ta identifikojë Elshanin si personi që kishte qëlluar mbi të.

Po ashtu edhe sigurimi i diskotekës “City Club” dëshmuan para trupit gjykues rreth natës kritike, të cilët thanë se natën kritike kishin parë një person duke shtënë me dy armë brenda diskotekës.

Asnjë nga këta dëshmitarë nuk kishim mundur ta identifikojnë personin që kishte shtënë me dy armë në diskotekën “City Club”, e ku gjeti vdekjen pronari i saj, dhe u plagosen edhe tre persona tjerë.

I vetmi që e kishte identifikuar Elshanin ishte Xhevdet Kelmendi njëri nga pjesëtarët e gjallë të familjes Kelmendit. Xhevdeti gjatë dëshmisë se tij tha se Granit Elshani ishte personi që kishte gjuajtur me dy armë në drejtim të vëllait të tij, Valdetit, dhe pronarit të diskotekës Besart Shabit.