Hyseni: LDK nuk pajtohet me vendimin e Kurtit

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Skënder Hyseni ka komentuar zhvillimet e fundit politike në lidhje me taksën.

Hyseni në RTV Dukagjini ka thënë se qëndrimi i LDK-së është që taksa të hiqet tërësisht e jo pjesërisht.

“Ajo që kam parë unë është që kryeministri Kurti ka dalë me një deklaratë që nuk është vendim për heqje të takës. Ai atë vendim do të merr javën e ardhshme apo me 15 mars”.

Ai thotë se deklarata e Kurtit, nga SHBA do të interpretohet si manovër për të zvarritur proceset, përcjell Telegrafi.

“Nëse duam të bëhemi bashkautor të agjendës ndërkombëtare për Kosovën e jo vetëm vështrues të situatës siç ishte me dy marrëveshjet e nënshkruara në Mynih, duhet bashkëpunim me SHBA parasë gjithash”.

Hyseni thotë se kjo situatë nuk është në të mirë të Kosovës dhe se sipas tij Kurti nuk ka pasur dakordim me LDK-në për këtë situatë.

Anëtari i Kryesisë së LDK-së thotë se mbledhja e sotme e Qeverisë është shtyrë pikërisht për shkak të mos dakordësimit për masat e reciprocitetit.