Huqja historike e Vjosa Osmanit, e quan mbret Skënderbeun

Vjosa Osmani komplekson historianët për Skënderbeun: E quan mbret ani pse nuk ishte i tillë
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar heroin kombëtar Gjergj Kastriotin në ditëlindjen e tij të supozuar.

Duket se Osmani ngutet paksa duke e quajtur “mbret” Skënderbeun megjithëse ai nuk ishte asnjëherë i tillë. Më tej, ai thotë se ai bashkoi arbërit “në një mbretëri” edhe pse një mbretëri arbërish nuk ekzistonte në të vërtetë dhe kjo nuk pretendohet prej asnjë historiani.

Osmani po ashtu e quan Skënderbeun si “jetësuesin e të parit projekt integrues evropian ndër shqiptarë”, megjithëse evropa e asokohshme nuk ishte e integruar por krejtësisht e përçarë në luftëra të ndryshme.

Kryetarja e Kuvendit kohët e fundit ka qenë më e heshtur se zakonisht në jetën politike të vendit.

Statusi i plotë:

Si sot, 615 vjet më parë lindi ai, mbreti e përbashkuesi i madh i shqiptarëve, Gjergj Kastrioti, njeriu i cili tokat dhe emrin e arbërve i bashkoi në një mbretëri, duke e jetësuar të parin projekt integrues europian ndër shqiptarë. Duke e mbrojtur atdheun, kulturën dhe historinë e tij, ai i mbrojti vlerat e qytetërimit perëndimor, në portën hyrëse të saj, në buzëbrigjet e Adriatikut.