Kryetari i Mitrovicës dhe anëtari i Vetëvendosjes, Agim Bahtiri vetëm pak orë para arritjes së marrëveshje për bashkëqeverisje ndërmjet LVV-së dhe LDK-së, ishte i bindur se miku i tij, Glauk Konjufca nuk do të largohet nga pozita e kryeparlamentarit.
“Kthimi para datës 26 dhjetor nuk është i mundshëm dhe as i arsyeshëm, sepse Kuvendi i Kosovës ka kryetarin më të denjë të zgjedhur që prej themelimit të tij”, ka shkruar sot Bahtiri pas orës 13, raporton Ballkani.info.
Duket se Bahtiri nuk ka qenë fare i informuar se çfarë ka ndodhur dhe çfarë po ndodhte në negociatat për koalicion.
E Bahtiri ishte shumë i bindur se Konjufca nuk do të largohet nga udhëheqja e Kuvendit të Kosovës.
Në një debat ai pati folur “rrast” për këtë bindje.
“Ky proces ka mbaruar për krejt jetën, ta dini. Nuk ka asnjë gjasë, absolut që Glauk Konjufca të lëviz nga pozita e kryeparlamentarit. A e din pse, sepse nuk është në pyetje Glauku, por është në pyetje që ne pazare nuk bëjmë”, pati thënë Bahtiri.
E Ballkani.info sot ka qenë media e parë në Kosovë që ka raportuar ekskluzivisht për arritjen e marrëveshjes ndërmjet dy partive. Kjo marrëveshje nënkupton largimin e Glauk Konjufcës nga pozita e kryeparlamentarit dhe marrjen e një pozitë tjetër, me gjasë atë të shefit të diplomacisë.
Po ashtu kjo marrëveshje nënkupton që pozita e presidentit të negociohet pas skadimit të mandatit të Hashim Thaçit. /Ballkani.info/







