Humbje e madhe për ushtrinë ruse| Vritet në Ukrainë koloneli që udhëhoqi batalionin neo-nazist

Një komandant lufte i Rusisë, që udhëhoqi batalionin neo-nazist të Sparta, është qëlluar për vdekje në Ukrainë.

“The Sun” shkruan se Vladimir Zhoga u vra gjatë betejës në qytetin lindor të Ukrainës Volnovakha, ditën e djeshme. Denis Pushilin, i cili kryeson territorin e shkëputur ukrainas të Donetsk, konfirmoi vdekjen e komandantit rus të luftës.

“Sot, komandanti i batalionit të veçantë të zbulimit të Spartës, kolonel i Gardës, Vladimir Zhoga, vdiq si një hero në Volnovakha”, shkruante ai.

Sipas Pushilin, komandanti u vra gjatë një operacioni për evakuimin e civilëve nga Volnovakha, një nga qytetet ku rusët shkelën marrëveshjen e armëpushimit ditën e shtunë.

Zhogu iu bashkua rebelëve të mbështetur nga Rusia në vitin 2014, vit në të cilin u krijua Batalioni Sparta, një milici neo-naziste, që ka mbështetjen e Moskës, shkruan javanews. Grupi qëndron pas një vale sulmesh vdekjeprurëse kundër trupave ukrainase dhe ka zhvilluar luftë në rajonin Donbass, që nga shpërthimi i armiqësisë, tetë vjet më parë.

Vdekja e Zhogës është një tjetër goditje e madhe për Vladimir Putin, pasi ai humbi dy shefat kryesorë ushtarakë këtë javë dhe ushtria e tij nuk po arrin të bëjë përpara në territorin ukrainas, aq shpejt sa pritej.