Hoxha kërkon mbështetjen e Hungarisë për vizat

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, u prit në takim nga Szabolcs Takács, Ministër i shtetit për çështje evropiane pranë Zyrës së Kryeministrit të Hungarisë, me ç’rast theksoi se Kosova duhet të fitoj të drejtën e liberalizimit të vizave, ngase, ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim.

Po ashtu, theksoi Ministrja, pret përkrahje të gjithanshme nga Hungaria, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Ajo  theksoi se Hungaria ka përkrahur në vazhdimësi procesin integrues të Kosovës, andaj, siç tha Hoxha, “presim që sërish të jeni krah nesh në sfidat që na presin, aktualisht më e rëndësishmja është çështja e votimit në Këshillin e ministrave”, transmeton lajmi.net.

Sot, kur rajoni është përfshirë si i plotë brenda planeve të zgjerimit të BE-së, vetëm Kosovës i mungon lëvizja e lirë, theksoi Ministrja Hoxha, duke shtuar se liberalizimi do të ndikonte gjithanshëm edhe në proceset tjera integruese, në zbatimin e MSA-së, reformat e Agjendës Evropiane si dhe reformat tjera ekonomike por edhe të bashkëpunimit ekonomik, ngritja e mirëqenies dhe konkurrueshmërisë së kompanive vendore, aftësimi profesional, ngritja e cilësisë në arsim dhe të mirat tjera që ofron lëvizja e lirë.

Hoxha, kërkoi mbështetje për liberalizimin e vizave nga Qeveria hungareze në Këshillin e Ministrave, duke theksuar se të gjithë eurodeputetët hungarez, votuan pro liberalizimit.

Szabolcs Takács, Ministër i shtetit për çështje evropiane pranë Zyrës së Kryeministrit të Hungarisë rikonfirmoi mbështetjen për Kosovën, duke vënë në spikamë të arriturat e Kosovës në këtë proces si dhe bashkëpunimin e deritashëm për procesin integrues dhe përfshirjen e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Ai vuri në dukje po ashtu se Hungaria do të jetë përkrahëse e rrugës integruese euro-atlantike të Kosovës si dhe liberalizimit të vizave, duke theksuar se migrimi ilegal duhet të marrë fund dhe qytetarët të jenë të lirë për të lëvizë dhe shtetasit e Kosovës të mos jenë të diskriminuar, krahasuar me rajonin.