Nga Gjakova, ku ka qëndruar për vizitë, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, është shprehur i “shqetësuar” me veprimet e Qeverisë, teksa e ka bërë të qartë se ka mospajtime mes ShBA-së dhe ekzekutivit kosovar që drejtohet nga Albin Kurti.
“ShBA-ja nuk do të pajtohet me çdo zgjidhje që do të bëjë Qeveria e Kosovës dhe nuk është fare e fshehur që Qeveria ime së bashku me disa prej atyre partnerëve që punojmë kemi disa shqetësime për disa çështje politike të cilat i ka bërë Qeveria Kurti dhe të cilat e pamundësojnë arritjen e asaj që dëshirojmë për Kosovën”, tha Hovenier.
Pavarësisht kësaj, diplomati amerikan e ka theksuar se shteti i tij do vazhdojë përkrahjen për popullin e Kosovës, përkundër “ftohjes” së raporteve” duke theksuar se përkushtimi i ShBA-së ndaj popullit të Kosovës “është i fuqishëm dhe i hekurt si gjithmonë”.
“Kemi qenë me popullin e Kosovë, jemi me popullin e Kosovës dhe do të jemi me popullin e Kosovës, por kjo nuk nënkupton që të pajtohemi me çdo zgjidhje nga çdo qeveri”, potencoi ai, teksa ka porositur Qeverinë që të sigurohet që ligjet për KPK-në dhe KPM-në të jenë në përputhje me normat evropiane.
“Mendojmë që Kosova të jetë anëtarë e BE-së, NATO-s, prandaj mendojmë që nuk është edhe shumë e mençur që ato organizata evropiane e kanë thënë që këto projektligje nuk janë në përputhje me normat evropiane”, ka shtuar Hovenier.







