Hoti: Qeveria do të ndajë paga shtesë për mësimdhënësit

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, ka njoftuar se Qeveria do të ndajë paga shtesë për mësimdhënësit.

Hoti ka takuar sot përfaqësuesit e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, të cilëve ua ka dhënë lajmin se Qeveria në detyrë do të ndajë paga shtesë për punëtorët e arsimit.

“Kryeministri Hoti, fillimisht e ka përgëzuar kryetarin e SBASHK-ut Rrahman Jasharaj, për punën e palodhshme dhe sfiduese të arsimtarëve në kushte të pandemisë, si dhe e ka siguruar që pagesa shtesë për punëtorët e arsimit do të kryhet në dy këste. Këstin e parë do ta marrin me pagën e muajit shkurt, ndërsa këstin e dytë me pagën e muajit maj”, thuhet në nj njoftim të zyrës për informim të Qeverisë.

Po ashtu, është bërë e ditur se është folur edhe për Kontratën e Re Kolektive.

“Për shumën e pagës shtesë, Ministria e Arsimit,  SBASHK-u dhe Ministria e Financave do të dakordohen në përputhje me mundësitë buxhetore. Në takim me përfaqësuesit e SBASHK-ut, Kryeministri në detyrë Hoti, ka biseduar edhe për Kontratën e re Kolektive, e cila pritet të finalizohet këtë të premte”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, SBASHK’u kishte paralajmëruar greva nëse Qeveria nuk i plotëson kërkesat e mësimdhënësve.

Sindikata ka kërkuar nga 100 euro shtesë për secilin punëtor të arsimit, për shkak të rrezikshmërisë së prekjes nga koronavirusi.