Kryeministri i Kosovës

Hoti paralajmëron zgjedhje

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka folur rreth menaxhimit të pandemisë, arrestimeve nga Specialja dhe situatën politike në vend.

Ndërsa, sa i përket zgjedhjes së presidentit, Hoti tha se janë vetëm dy opsione, ai i një emri të përbashkët me dakordim të partive politike, ose shkuarja në zgjedhje.

“Është më se e qartë se vendi s’ka president edhe në bazë të Kushtetutës ne duhet ta zgjedhim presidentin e ri, për zgjedhjen e tij duhen së paku 80 vota në Kuvend, të cilat vota sigurisht ky koalicion qeverisës nuk i ka. Që nënkupton nevojën që ne të ulemi me partitë politike parlamentare opozitare për të parë nëse ka ka dakordim për zgjedhjen e presidentit, të cilën gjë shpresoj se do ta bëjmë së shpejti. Nëse ka dakordim të tillë, atëherë sigurisht duhet të dakordohemi për datën e zgjedhjeve, sigurisht një datë e përshtatshme për qytetarët. Këto janë dy rrugë kushtetuese që do të ndiqen në javët dhe në muajt e ardhshëm.

Unë besoj se shpejt do të organizohet tryeza e parë e partive ku do të shtrohen këto tema. Edhe unë po angazhohem në këtë drejtim. Nëse ka vullnet për zgjedhje të presidentit, për emra konkret, drejt një emri të përbashkët e nëse s’ka flasim për datë të zgjedhje. Tjetër opsion nuk ka”, ka thënë Hoti.

Hoti ka komentuar kritikat e opozitës që thonë se pandemia s’po menaxhohet mirë, teksa thotë që gjendje e njëjtë është edhe në shtetet e tjera.

“Opozita e ka punën e vet, mi këqyr punën e Qeverisë, por është një përvojë e vendeve më të avancuara. Numri i të infektuarve është më i larti që nga fillimi i pandemisë, a nënkupton kjo që Franca, ose Gjermania e ka menaxhu keq pandeminë, ose Brukseli që është komplet i mbyllur? Kjo nuk kupton që po tentojmë të arsyetohemi, i siguroj qytetarët që kemi marrë të gjitha veprimet që rekomandohet të ndërmerren në situata të tilla, veprimet që janë të bazuara në rekomandimet e ekspertëve shëndetësor, por në fund po ndajmë fatin me të gjithë botën”, ka thënë kreu i Qeverisë në emisionin Klan Debat.

Sa i përket arrestimeve për krerët e lartë politikë nga Gjykata Speciale, ai tha se do të shfrytëzojnë të gjitha instrumentet e Kushtetutës për t’iu dalë në ndihmë atyre.

“Në momentin që u themelua Gjykata Speciale në vitin 2015, ka qenë të pritura që të ndodhin arrestime. Sigurisht ne nuk e kemi ditur se kush do të jetë i akuzuar, kur dhe për çfarë vepra. Por, s’është çështje krejt e papritur. Unë, vlerësoj sjelljen e atyre që janë akuzuar, tani që janë në gjykatë në Hagë. Një sjellje shtetërore, dinjitoze, me maturinitet dhe kjo është duke u vlerësuar nga të gjithë miqtë tanë ndërkombëtarë.

Pasi që s’është e lehtë për një vend të ri të merret presidenti, dy ish-kryetar të Kuvendit, shefi i një grupi parlamentar dhe ka sjellje të matur shtetërore edhe të tyre, por edhe shoqërisë. Tash jemi në këtë situatë të jemi do të shfrytëzojmë instrumentet e Kushtetutës dhe ligjor që kemi në dispozicion për t’iu dalë në ndihmë këtyre që janë të përfshirë. Ne ofrojmë mbështetje për mbrojtjen e tyre, një mbështetje e përcaktuar me ligj në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë”.