Hoti i shkruan kancelarit austriak: I dënojmë fuqishëm sulmet terroriste në Vjenë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, i ka dërguar një letër kancelarit të Austrisë, Sebastian Kurz. Përmes kësaj letre, kryeministri Hoti, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, i ka dënuar sulmet terroriste që tronditën mbrëmë kryeqytetin e Austrisë, Vjenën, njofton zyra e kryeministrit Hoti.

‘’I dënojmë në formën më të fuqishme të mundshme sulmet terroriste në Vjenë dhe qëndrojmë të bashkuar me popullin austriak në këto momente shumë të vështira. Mendimet dhe lutjet tona janë me popullin austriak’’, ka shkruar kryeministri Hoti në letrën dërguar kancelarit austriak.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, e ka siguruar kancelarin e Austrisë, Sebastian Kurz, se vendi ynë mbështet institucionet dhe popullin austriak, bashkë me komunitetin ndërkombëtar në luftë kundër terrorizmit. /Express/