Hoti i përgjigjet Haradinajt: Pse i le dialogun Thaçit

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK’së, Avdullah Hoti, ka reaguar pas fjalëve të Kryeministri të vendit Ramush Haradinajt, se LDK’ja nuk ka bërë asgjë kundër idesë për ndarjen e Kosovës. Hoti thotë se ky deklarim i Haradinajt e tregon karakterin politik tepër opurtunist të tij

Hoti ka shkruar se në shkurtin e vitit 2018 LDK’ja i ka kërkuar Kryeministrit të mos i shmanget detyrimit të tij kushtetues për ta udhëhequr dialogun.

“Ai ka bërë të kundërtën, duke e miratuar një rezolutë në Qeveri ku ia barte Presidentit udhëheqjen e dialogut. LDK-ja e kundërshtoi ashpër atë rezolutë dhe, si rezultat, ajo asnjëherë nuk u nxjerr në diskutim në seancë të Kuvendit”, shkruan Hoti

Ai thotë se edhe në shtatorin e vitit 2018 partia e tij bashkë me pjesën tjetër të opozitës e kanë propozuar një rezolutë në Kuvend me një pikë të vetme, se territori i Kosovës është i panegociueshëm dhe se askush nuk duhet të dialogojë për këtë temë.

Hoti thotë se Kryeministri dhe Nisma nuk patën guxim ta votonin këtë rezolutë, e cila është ende në rend dite të Kuvendit si pikë e mbetur pezull.

Hoti përmend edhe letrat që LDK’ja ua ka dërguar ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të BE’së dhe Partive Popullore Evropiane, ku kanë shprehur qëndrimin kundër ndryshimit të kufijve.

Ai thotë se sikur partia e tij të ishte indiferentë karrshi idesë për ndarjen e Kosovës, rezoluta e propozuar nga Haradinaj në prill të vitit 2018 do të miratohej dhe dialogu do të udhëhiqej nga Presidenti Hashim Thaçi.

“Sikur LDK-ja të ishte indiferente karshi idesë për ndarje të Kosovës, rezoluta e propozuar nga Haradinaj në prill 2018 do të miratohej dhe dialogu do udhëhiqej nga Thaçi, i cili do ta bënte fakt të kryer pazarin me territor të Kosovës. Nuk i ka hije Kryeministrit të shërbehet me të pavërteta dhe me një fjalor të tillë. Po t’i kishte shti LDK-ja ‘veshët në lesh’ dhe po ta përkrahte Qeverinë e PAN-it që dialogun ta drejtojë Thaçi, me idenë për korrigjim të kufijve, sot Kryeministri do ta kishte festuar marrëveshjen me Presidentin”, thekson Hoti.

Hoti po ashtu thotë se Haradinaj kishte heshur karrshi kësaj, sepse i konvenonte që të bëhej Kryeministër.

“Por, Haradinaj vetë i kishte “shti veshët lë lesh” dhe nuk e ka dëgjuar refuzimin e LDK-së, sepse e ka pasur kusht për t’u bërë kryeministër që dialogun t’ia lë Thaçit, kryetarit de facto të PDK-së. Haradinaj nuk ka guxuar nga PDK-ja ta përkrahë rezolutën e LDK-së dhe partive tjera opozitare në mbrojtje të sovranitetit e integritetit territorial të Kosovës. E tani rrah gjoks si kundërshtar i shkëmbimit të territoreve. E gjithë Kosova e di se Haradinaj nuk e ka problem të ndërroj qëndrime, në shkëmbim të favoreve për të ardhur e për të qëndruar në pushtet. E ka vulosur me demarkacionin”, shkruan Hoti.