Hoti: E kemi problem ta bëjmë listën e kandidatëve të LDK-së, sepse ka shumë interesim

Kryeministri në detyrë dhe kandidati i LDK-së për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme, Avdullah Hoti ka thënë se nuk ka pasur rezistencë dhe kundërshtim për nominimin e tij si kandidat për kryeministër brenda partisë.

“Unë ka kërkuar që të diskutohet brenda partisë që ta marrim vendimin më të mirë dhe cila është zgjidhja më e mirë në rrethanat që jemi. Jam shumë i kënaqur me diskutimin që kemi bërë brenda LDK-së dhe vendimeve që kemi marrë. Unë jam duke u marrë intensivisht se kush duhet të jetë në listën zgjedhore të LDK-së. E kemi një vendim të Këshillit të Përgjithshëm që janë vendosur disa kritere për kandidatura. Nga 110 kandidatë që do t’i kemi në listë, pjesa më e madhe e kandidatëve vijnë nga degët e LDK-së”, ka thënë Hoti, transmeton Ballkani.info.

Sipas tij, nuk ka presion nga kandidatët që të futen në listë, pasi që ekziston një rend shtëpiak në LDK.

“Vijnë propozime nga degët dhe ato shkojnë përmes kritereve. Pastaj është lista tjetër që është në diskrecionin e kandidatit për emrat tjera. Jam i interesuar që të kemi kandidat nga diaspora, emra të rëndësishmë nga diaspora, njerëz të biznesit. Njerëz që kanë qenë zë i arsyeshëm edhe në shoqërinë civile”, tha ai në RTK.

Sipas tij, brenda pak ditësh do të finalizohet lista e kandidatëve të LDK-së për deputetë.

“Unë i prij listës dhe unë e kam diskrecionin e plotë për ta kompezuar listën e plotë të LDK-së. Problem e kemi për të reduktuar numrin e kandidatëve në 110, sepse ka shumë interesim”, ka thënë Hoti./Ballkani.info/