Holanda dhe Gjermania luftojnë për kreun e Grupit C

Fitorja e ndërlikuar ditën e enjte me Irlandën e Veriut, në Roterdam përveçse përmirësoi pozitat e përfaqësueses portokalli duket se zgjidhi më së shumti edhe enigmat e Grupit C, të fazës kualifikuese për në evropianin e ardhshëm. 3 pikë të marra me shumë vuajtje, për më tepër të siguruara vetëm në fund, me tre gola pas minutës së 80, për të përmbysur në këtë mënyrë disavantazhin e golit të realizuar nga sulmuesi Josh Magennis.

Nëse do të kishin ruajtur qoftë edhe barazimin, bardhjeshilët do të ishin në vendin e parë në këtë grup, sakaq nëse imagjinohet disfata e “tulipanëve” në shtëpi, shpresat e ekipit të drejtuar nga trajneri Ronald Koeman do të ishin fare minimale. Holanda ka munguar në fazën finale të kampionatit të fundit evropian, madje “oranje” nuk mori pjesë gjithashtu as në Kupën e Botës që u zhvillua vitin e kaluar, sidoqoftë për fatin e tyre të mirë ndodhi ajo përmbysje e madhe, shumë e rëndësishme, pikërisht në minutat e fundit që ndryshoi krejtësisht tabelën e renditjes në këtë grup.

Aktualisht në Grupin C Holanda, Gjermania dhe Irlanda e Veriut kryesojnë me pikë të barabarta 12, gjithsesi “norn iron” që kanë zhvilluar një ndeshje më shumë këtë herë kanë në kalendar vetëm një takim miqësor me Republikën Çeke, në Pragë ditën e hënë, kështu që “portokallinjtë” dhe “panzer”-at kanë një mundësi të shkëlqyer për të përfituar. Të dy ekipet do të kenë përballje të rëndësishme me skuadrën irlandezo-veriore në mesin e muajit të ardhshëm, megjithatë tani është e kuptueshme që objektivi i kualifikimit për formacionin e drejtuar nga trajneri Michael O’Neill është shndërruar në një mision të pamundur, sepse në mënyrë të kuptueshme pas pesë javësh bardhjeshilët duhet patjetër të mundin ose Holandën në “Windsor Park”, ose Gjermaninë brenda në “Waldstadion”, për më tepër 3 pikët duhet të shoqërohen domosdoshmërisht me një fitore minimalisht me 2 gola diferencë.

Pra fatin e këtij grupi tani e kontrollojnë vetë Holanda me Gjermaninë. Skuadra e Ronald Kumanit do të kërkojë fitoren e katërt radhazi në këto eliminatore në Stadiumin e Dinamos së Minskut, ku “portokallinjtë” do të përballen në orën 18:00 me ekipin e Bjellorusisë. Vendasit janë të pashpresë, teksa pozicionohen në vendin e katërt, në kuotën e 4 pikëve, për më tepër duke shënuar thjesht 3 gola gjithsej në 6 ndeshjet e luajtura deri tani. Ky është takimi i 10 zyrtar në historikun e përballjeve mes tyre dhe bën përshtypje fakti që këto dy ekipe nuk kanë barazuar asnjëherë ndërmjet tyre, me Holandën që kryeson 7 me 2 me fitore por gjithsesi “tulipanët” kanë humbur dy nga katër vizitat në Bjellorusi, ndërsa dueli i parë më 21 mars në Stadiumin e Feyenoordit përfundoi 4-0. Ashtu si Holanda edhe Gjermania e zhvillon takimin e gjashtë në grup jashtë fushe.

“Die mannschaft” do të përballet në Tallinn në orën 20:45 me ekipin e Estonisë, kundërshtar të cilin skuadra gjermane e ka mposhtur gjithmonë. Të mërkurën në mbrëmje në Dortmund Joachim Loë u përfaqësua me një formacion eksperimental, por gjithsesi vendasit shpërdoruan avantazhin e dy golave dhe për rrjedhojë takimi miqësor me Argjentinën përfundoi në barazim 2-2. Gjermania ka pësuar vetëm një gol nga Estonia në katër përballjet e mëparshme ndërmjet tyre dhe i ka shënuar plot 12 në dy sfidat zyrtare, ku spikat pikërisht takimi i 11 qershorit, i luajtur në Mainc, ku vendasit shkatërruan skuadrën baltike me rezultatin e thellë 8-0.

Shumë pranë kualifikimit është gjithashtu edhe kombëtarja e Polonisë, që pas 7 ndeshjeve të luajtura kryeson Grupin G me 3 pikë më tepër se Austria dhe plot 5 pikë më shumë se Maqedonia e Veriut dhe Sllovenia. Këtë herë Polonia zbret në kryeqytet në orën 20:45, në Stadiumin Kombëtar të Varshavës, ku bardhekuqtë do të masin forcat me Maqedoninë e Veriut. Më 7 qershor ekipi i drejtuar nga trajneri Jerzy Brzeczek fitoi brenda në Shkup falë një goli të realizuar nga Piatek në fillimin e pjesës së dytë, sidoqoftë vendasit janë dukshëm favoritë, për më tepër kapiteni Robert Lewandowski ka shtatë ndeshje rresht që gjen rrugën e rrjetës për klubin dhe kombëtaren e tij, duke shënuar gjatë kësaj periudhe plot 11 gola gjithsej.

Më herët në orën 14:00 gjithë të apasionuarit do të kenë mundësi për të ndjekur gjithashtu edhe përfaqësuesen e Brazilit, që pas barazimit 1-1 të ditës së enjte me Senegalin do të përballet me një tjetër ekip afrikan, Nigerinë. Takimi do të mbahet përsëri në Stadiumin Kombëtar të Singaporit dhe duke patur parasysh që muajin e kaluar “verdhjeshilët” nuk arritën të mundin dot as Kolumbinë me Perunë skuadra e Tites do të bëj çmos për t’u kthyer në rrugën e fitoreve. 16 vjet më parë në të vetmin duel mes tyre Brazili i Carlos Alberto Parreira-s i mposhti “supershqiponjat” me rezultatin 3-0 brenda në kryeqytetin e tyre, Abuja.

loading…