Holanda dëbon spiunët rusë të maskuar si diplomatë

Ministria e Jashtme e Holandës ka njoftuar se dy zyrtarë të Ministrisë së Jashtme të Federatës së Rusisë, janë urdhëruar që brenda dy javëve të largohen nga territori holandez. “Diplomatët rusë” janë dyshuar si spiunë që merren me teknologjinë së avancuar (high-tech).

Shërbimi i Inteligjencës dhe Sigurisë së Holandës (AIVD), ka arritur t’i zbulojë dy diplomatë rusë të akredituar në Ambasadën Ruse në Holandë, të cilët ishin oficerë të shërbimit ruse të jashtëm – SVR. Bazuar në informacionet nga AIVD, njëri nga spiunët rusë kishte arritur të krijojë një rrjet të informatorëve, të gjithë me qasje në sektorin holandez të teknologjisë së avancuar. Personat që ishin rekrutuar kishin qasje në informacione sekrete. Spiuni i dytë rus kishte rol mbështetës në aktivitetin e spiunit të parë.

Spiunët rusë ishin të interesuar në mbledhjen e informacioneve në lidhje me inteligjencën artificiale, gjysmëpërçuesit dhe nanoteknologjinë. Sipas AIVD, burimet ruse kishin punuar në dy kompani dhe në një institucion të arsimit të lartë.

Sipas drejtuesit të AIVD, Erik Akerboom,  Holanda është gjithnjë e më shumë e atakuar nga spiunazhi, pasi që ekonomia, shkenca dhe teknologjia holandeze janë ndër më të zhvilluarat në botë.

Për shkak të ligjeve të buta dhe rritjes së aktiviteteve të spiunazhit, Ministrja e Brendshme Holandeze, Kjasa Ollongren, është shprehur se janë duke punuar që të ndryshojnë  ligjin, me qëllim që spiunazhi të cilësohet si vepër penale.

Skandali i fundit i spiunazhit në mes Rusisë dhe Holandës ishte në vitin 2018, kur Shërbimi Inteligjent Holandez kishte arritur të zbulojë dhe të dëbojë, katër oficerë të shërbimit inteligjent ushtarak rus – GRU, të cilët ishin përpjekur ta hakonin rrjetin e Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike.