Atdhetari i shquar Hektor Beqiri ka reaguar lidhur me zhvillimet e 16 shtatorit në Hagë, duke shprehur kundërshtimin e tij ndaj asaj që e cilëson si padrejtësi ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Në një postim të publikuar në rrjetet sociale, Beqiri thekson se kjo çështje nuk duhet të kalojë në heshtje, duke vënë në pah edhe rolin e diasporës shqiptare.

“Padrejtësia e 16 shtatorit nuk mund të kalojë në heshtje, as nga diaspora”, shkruan Beqiri.

Ai bën të ditur se mërgimtarët do të organizojnë protesta paqësore në disa qytete të Gjermanisë, si dhe në Cyrih të Zvicrës, me qëllim shprehjen e qëndrimit të tyre ndaj zhvillimeve në Hagë.

Sipas Beqirit, mesazhi “Jo në emrin tim!” synon të shprehë solidaritetin dhe kujtesën ndaj atyre që, sipas tij, kanë kontribuar në luftën dhe paqen e Kosovës.

“Ky nuk është vetëm një slogan. Është një mesazh i qartë i ndërgjegjes dhe solidaritetit, një thirrje për të mos harruar sakrificën e atyre që kontribuuan në luftën dhe paqen e Kosovës”, shprehet ai.

Në përmbyllje të reagimit, Beqiri thotë se diaspora do të vazhdojë të jetë aktive në këtë çështje, duke përsëritur mesazhin: “Nuk do të heshtim. Nuk do të ndalemi.”