Haxhiu: Shpejt nis puna për veting dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, përmes një shkrimi në llogarinë e saj në facebook, ka uruar zëvendësin e saj, Blerim Sallahun. Por, ajo gjithashtu premtoi se shumë shpejt do të fillojë konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme dhe vetingu.

Pos saj, Haxhiu tha se do të krijohet edhe Instituti për krime të kryera gjatë luftës në Kosovë.

“Shumë shpejt nisim punën me grupet punuese lidhur me projektligjin për veting, konfiskim të pasurisë së pajustifikueshme, Institutin për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë dhe shumë çështje të tjera!”, shkroi Haxhiu.

Ministrja Haxhiu uroi Blerim Sallahun për pozitën e zëvendësministrit të Drejtësisë. Ky i fundit ishte përfaqësues ligjor i Lëvizjes Vetëvendosje, i cili përfaqësonte këtë parti gjatë seancës publike të Gjykatës Kushtetuese për legjitimitetin e votës së deputetit Etem Arifi që ndihmoi në formimin e legjislaturës së shtatë, është vënë si zëvendësministër në Ministrinë e Drejtësisë.

“Me Blerimin para 11 viteve jemi takuar në Lëvizje. Jam shumë e lumtur që së bashku do të vazhdojmë të punojmë në jetësimin e zotimeve tona. Këtij rrugëtimi do t’i bashkohen edhe shumë profesionistë që ia duan të mirë vendit dhe e duan Kosovën vend me drejtësi e zhvillim”, shkroi Haxhiu.