Haxhiu: Osmani ka shkelur Kushtetutën, nuk e meriton pozitën që e ka

Kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka thënë se u.d. e presidentes Vjosa Osmani ka shkelur Kushtetutën me deklaratat që dha dje lidhur me KQZ-në.

Ai po ashtu e ka quajtur Osmanin një karrieriste të dëshmuar.

“Vjosa Osmani e ka shkelur Kushtetutën e Kosovës. Është anuar politikisht si ushtruese e detyrës së presidentes. Ajo nuk e ka merituar asnjëherë atë pozitë. Ajo është një karrieriste e dëshmuar deri më tani. Mu më dhimbset zotëri Albin Kurti edhe në këtë rast, sepse deri më tani është dëshmuar se kudo që ka qenë Vjosa Omsani e dyta i pari ka pësuar keq. Shikojeni fatin e Fatmir Sejdiun , Isa Mustafës. Të njëjtin fat do ta ketë edhe Albin Kurti, kur ta ketë Vjosa Osmanin pranë vetes. Unë do të doja që zotëri Kurti të jetë pjesë e garës si të gjithë kandidatët e tjerë, por Albin Kurtin nuk e ka penguar askush. E kanë penguar veprimet e tij dhe shkelja e ligjit që ka bërë. Dhe unë jam që ligjshmëria të zbatohet, sepse demokracia ka rregulla, ka norma, dhe ligje. Dhe ato duhet të respektohen nga të gjithë. Po që do të ishte mirë që t’ia tregojmë vendin me votë kësaj radhe”, ka deklaruar Haxhiu për Ekonomia Online.

Ai ka thënë se veprimet e dhunshme e agresive ia kanë pamundësuar liderit të VV-së, Albin Kurti, që të jetë kandidat.

“Dhe nuk më takon mua a duhet apo s’duhet, iu takon organeve kompetente që të vlerësojnë një gjë të tillë. Por pavarësia e institucioneve të Kosovës përfshirë këtu Gjykatën Kushtetuese, përfshirë këtu Komisionin Qendror Zgjedhor dhe institucione tona të pavarura, duhet të respektohen dhe askush nuk duhet të përpiqet t‘i kapë për vete. Ato janë institucione të pavarura dhe të tilla duhet t’i respektojmë. Përndryshe do të kemi një cënim të demokracisë ende pa marrë votën, përpjekje për diktaturë me disa pëlqime të Facebook-ut. Vota do ta përcaktojë se ka do të rrugëtojë Kosova me14 shkurt”, ka shtuar Haxhiu.

Edhe Blerta Deliu e PDK-së ka pasur kritika ndaj Osmanit.

“Vjosa Osmani e ka ndërtuar karrierën e saj politike nën viktimizimin se si grua në politikë, po goditej nga të gjitha anët. Gjatë aktivitetit të saj politik, ajo e ka pasur gojën plot ‘fuqizim të grave’. Por dje, ajo nuk mundi ta mbante nën kontroll më hipokrizinë e saj duke qenë se tash është militante e Albin Kurtit dhe harroi për një moment gjithë vijën mbi të cilën është fuqizuar si politikane. Shantazhi i saj ndaj një gruaje të një institucioni të pavarur, znj. Valdete Daka, është dekurajim për qindra-mijëra gra, që po tregojnë kurajon për angazhim, pjesëmarrjen e aktivizëm”, ka shkruar Deliu në Facebook.