Haxhiu: 35-vjeçarja e raportoi të dyshuarin për dhunë në korrik, Prokuroria e liroi në procedurë të rregullt

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë sot para mediave se shtatzëna e vrarë e kishte raportuar bashkëshortin e saj në korrik të këtij viti për dhunë psiqike dhe fizike, dhe prokuroria, personin e dyshuar e kishte liruar në procedurë të rregullt.

“Pas përfundimit të takimit të grupit ndërministror, siç e pamë dhe siç e kuptuam, mbrëmë një grua bashkë me foshnjën që priste ta sillte në jetë u vra, ishte një rast i rëndë dhe i trishtë. Ky rast na tregon se sa i shprehur është femicidi që po vret jetë vajzash dhe grash. 5 ditë, dy jetë të humbura, dy gra të vrara nga burrat e tyre. Me urgjencë kemi mbledhur grupin ndërministror. Kemi diskutuar për veprimet institucionale në raport me këtë rast. Më lejoni të ju njoftoj se sipas informacioneve nga policia viktima kishte raportuar në korrik të këtij viti të dyshuarin për dhunë psiqike dhe fizike dhe prokuroria personin e dyshuar e kishte liruar në procedurë të rregullt”, tha Haxhiu.

Ajo se nëse prokuroria do të ishte në krye të detyrës, një rast i tillë mund të parandalohej.

“Është një papërgjegjësi institucionale, papërgjegjësi e prokurorit të rasti sepse vazhdimisht po bëjmë thirrje që të mbrohen jetët e grave dhe vajzave. Sikur prokuroria të ishte në krye të detyrës, një rast i tillë mund të ishte parandaluar”.

Ministrja poashtu bëri me dije se ka edhe informacione të tjera, por për shkak të hetimeve nuk mund t’i bëj të ditura.

35-vjeçarja shtatzënë u vra mbrëmë para Klinikës së Gjinekologjisë nga ish-bashkëshorti i saj, i cili është ende në arrati.