Haxhi Shala kalon në AAK, Haradinaj: Vendosëm që bashkërisht t’u shërbejmë interesave të vendit

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, që deri tash ka qenë pjesë e Nismës Social Demokrate, Haxhi Shala, e ka zyrtarizuar kalimin e tij në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, ku është pritur nga kryetari Ramush Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se bashkë me Shalën kanë vendosur që bashkërisht t’i shërbejnë interesave të vendit.

“Sot pata nderin që me z. Haxhi Shalën, deputet në Kuvendin e Kosovës, të vendosim të rrugëtojmë së bashku në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës. Vendosëm që bashkërisht t’i shërbejmë interesave të vendit, në këto kohë të ndjeshme dhe në të gjitha etapat e radhës”, ka shkruar Haradinaj në njoftimin e tij në Facebook.

Haradinaj ka shprehur mirënjohjen e tij për angazhimin e Shalës në proceset e deritanishme për Kosovën.

“Jam mirënjohës për deputetin Shala, tash koleg në Aleancë, për angazhimin e tij në proceset e deritashme të rëndësishme për vendin tonë, si dhe për vendimin që së bashku me bashkëpunëtorët e tjerë të vazhdojnë rrugëtimin politik në AAK”, ka shkruar ai.

Ndryshe, Shala ka shprehur afërsinë e tij me AAK-në hapur kohëve të fundit. Përveç kësaj, deputeti Shala ka treguar edhe një konsideratë të lartë për kreun e AAK-së, Ramush Haradinaj.