Haskuka: Jemi komuna më e prekur nga pandemia

Kryeqyteti historik i Kosovës dhe njëri ndër qytetet më numrin më të lartë të turistëve në vend, këtë vit ishte i heshtur. Pandemia bëri që Prizrenit t’i mungojnë vizitorët, e mungesa e tyre është përkthyer në rënie të të hyrave.

Duke qenë vit i pandemisë, 2020-ta ishte vit i sfidave edhe për Kosovën dhe komunat e saj, duke prekur kështu edhe Prizrenin.

E sikur të mos mjaftonte kjo, Kosova u përball edhe me krizë politike gjë që rëndoi edhe më shumë situatën e shkaktuar nga virusi korona.

Kryetari i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, në një intervistë për KosovaPress thotë se të gjithë këta faktorë ndikuan në komunën që ai e udhëheq.

Haskuka: Pandemia krijoi shumë probleme

“Pandemia, jo vetëm në aspektin ekonomik, por edhe në aspektin e punës Komunës ka krijuar shumë probleme, së pari është vonuar me buxhetin pastaj kemi masat e pandemisë, proceset komunale ose në aspektin e projekteve të komunës kanë filluar realisht në qershor dhe kemi pasur një kohë të shkurtër për t’i realizuar këto. Nëse kësaj i shtojmë edhe problemet me qeverinë që së pari u vonua formimi i qeverisë pastaj shumë shpejt ishte mocioni, pastaj një qeveri e cila doli që ishte jolegjitime të gjitha këto sfidat politike kanë reflektuar edhe në punën e komunave po ashtu edhe në komunën e Prizrenit. Mendoj që një nga sfidat por në të njëjtën kohë edhe sukseset e komunës sonë është pikërisht ballafaqimi me COVID-19, ne jemi komuna e vetme më e madhe rajonale, komuna e dytë me popullsi dhe me numrin e banorëve, por edhe me sipërfaqe me 76 fshatra, 624 kilometra katrorë e cila është përballur më së miri me COVID-in”, thotë ai.

Në mesin e sukseseve që rendit në luftën kundër COVID-it, Haskuka thotë se është edhe ofrimi i rapid-testit, që jep rezultatin brenda 15 minutash.

Haskuka: Jemi komuna e parë që bëjmë rapid-testin

“Kemi filluar testet antigjen, rapid-teste, të cilët bëhen brenda 15 minutave me 98.8% saktësi dhe jemi institucioni i parë publik i cili e bën këtë gjë në Kosovë. Këto i bëjmë pa pagesë për qytetarët e Komunës së Prizrenit, i kemi siguruar rreth 9 mijë teste, në anën tjetër ka më shumë se 3-4 muaj që jemi duke bërë edhe teste serologjike. Nëpërmjet këtyre testeve në i gjurmojmë rastet shpejtë dhe nuk kemi nevojë të presim nga 4-5 ditë deri të vijnë rezultatet nga IKSHPK. Përndryshe e kemi një bashkëpunim shumë të mirë me IKSHPK në Prizren. Por jo vetëm këto, nga testet e D-dimerit që lidhen me efektet e COVID-it deri tek incizimet e rengenit të cilat i bën (falas) Komuna jonë”, tregon ai.

Përpos masave që Komuna e Prizrenit kishte ndërmarr për parandalimin e përhapjes së sëmundjes COVID-19, Haskuka tregon se kanë marrë edhe masa për të mbështetur ekonominë dhe qytetarët.

I pari i Prizrenit tregon për KosovaPress edhe për ndihmën që i kanë dhënë bizneseve që operojnë në këtë qytet.

Sikur komuna të kishte më shumë buxhet, Haskuka thotë se do të ndihmonin edhe më shumë qytetarët. Teksa shton se pandemia tregoi sesa sfiduese është për komunat nga ana buxhetore të përballen me situata të tilla.

Haskuka: Sikur të kishim më shumë buxhet do të ofronim ndihmë më të madhe për bizneset

“Kemi dhënë mbi 1120 bizneseve subvencione që nuk janë shifra të mëdha por janë prej 500 deri në 800 euro. Kemi hequr taksat komunale, kemi hequr pagesat për pronën publike për shfrytëzimin e hapësirave publike, qiratë për 6 muaj, kemi bërë shumë lehtësira për bizneset në Komunën e Prizrenit në këtë kohë pandemie. Por nuk janë të mjaftueshme, po ashtu kemi ndarë dy herë për organizatat e shoqërisë civile ngase aktivitetet e tyre kanë qenë të rrezikuara sepse nuk kanë mundur të gjejnë sponsorizime, nuk kanë arritur të bëjnë shfaqje teatrale ose festivale të ndryshme që janë në Prizren, prandaj për të mbijetuar ato kemi dhënë ekstra fonde sivjet, mbi 100 organizata joqeveritare kanë përfituar nga subvencionet e Komunës së Prizrenit, por po ashtu edhe klubet sportive që i kemi pasur subvencione rekorde për ta, për shkak se nuk kanë mundur të bëjnë aktivitetet e tyre por në fund themi prapë janë të pamjaftueshme ngase buxhetin e kemi të tillë. Të kishim pasur më shumë do ndihmonim edhe më shumë, por si Komunë pandemia na ka treguar sa problematike është gjendja”, thekson ai.

Qyteti i Prizrenit, rrugët historike të të cilit jemi mësuar t’i shohim të mbipopulluara nga vizitorët, vitin e kaluar është përballur me rënie të madhe të numrit të turistëve.

Vet Haskuka thotë se komuna që e udhëheq ishte më e prekura nga pandemia, pasi turizmi ishte gati në parametra zero.

Haskuka: Jemi qyteti më i afektuar nga pandemia

“Prizreni është ndër komunat më të afektuara në aspektin ekonomik ngase një pjesë bukur e madhe e ekonomisë bazohet në turizëm, sidomos qyteti dhe disa rajone dhe pjesa e Prevallës dhe në atë aspekt faktikisht nuk kanë pasur hiç punë se një pjesë të kohës ka qenë e ndaluar lëvizja, pastaj ka qenë orari i reduktuar, pastaj kemi këto ndalesat në aspektin e hapësirave që mund të përdorin vetëm 30% të hapësirave dhe me të vërtetë ka ndikuar shumë negativisht në punën e tyre dhe janë afektuar shumë keq. Por edhe pjesa tjetër, e cila lidhet në mënyrë indirekte me turizmin, si pjesë e tregtisë por sidomos verës, sektori i dasmave dhe organizimeve të ndryshme që bëhen gjatë verës pasi këto kanë qenë të ndaluara dhe kjo ka pësuar shumë. […] Prizreni ka më së shumti argjendarë dhe ky sektor faktikisht ka qenë pothuajse i vdekur, ata kanë mbijetuar diqysh, por me të vërtetë janë afektuar shumë keq. E di që një pjesë e tyre edhe i kanë lëshuar punëtorët prandaj është rritur shkalla e papunësisë”, shprehet i pari i Prizrenit.

Ky vit do të prodhojë dy palë zgjedhje. Përpos atyre nacionale të planifikuara më shpejtë, në vjeshtë do të kemi edhe zgjedhjet lokale për Kuvendet Komunale dhe kryetarët e komunave.

Haskuka shprehet i gatshëm të garojë për mandatin e dytë nëse kështu vendosin anëtarësia dhe strukturat e Lëvizjes Vetëvendosje.

Haskuka: Nëse ma kërkon Lëvizja garoj për mandatin e dytë

“Mbetet për të vendosur, kemi edhe një vit punë deri në fund të tetorit të ardhshëm dhe mendoj që duhet të punojmë deri në atë kohë dhe pastaj duhet të vendosim. Edhe këtu janë procedura të cilat shkojnë deri te zgjedhja e kandidatit brenda LVV dhe normal do të varet prej atyre procedurave. Unë gjithmonë kam thënë që jam i gatshëm të marrë çfarëdo detyre që më kërkohet përndryshe edhe këtu them që politika për mua nuk është profesion, kam profesionin tjetër, por jam në politikë për të bërë një ndryshim. Uroj që këtë ndryshim të shohim edhe në nivel të Kosovës dhe pastaj të tërhiqem në profesion timin dhe të lë këtë punë. […] Ende ka kohë (për kandidaturën) por unë thash që nëse kërkohet jam aty kjo do të varet nga proceset e brendshme të votimit ose të zgjedhjes së kandidatëve”, thotë ai.

Krejt në fund, i pari i Prizrenit, Mytaher Haskuka thotë për KosovaPress që pret të shoh finalizimin e disa projekteve që ka filluar, si zonën ekonomike e deri tek projekti që e bënë Prizrenin qytet për këmbësorë, duke i larguar të gjitha veturat nga qendra historike e Prizrenit.