Haradinaj thumbon Veselin, Kurtin e Osmanin

Kandidati i AAK-së për kryeministër të Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kritikuar sot kundërkandidatët e tij nga subjektet tjera, se në programin e tyre qeverisës nuk kanë plane për zhvillimin ekonomik të vendit.

Në një takim me struktura të AAK-së, ku foli për ekonomi dhe zhvillim, Haradinaj pati disa fjalë për tre kundërshtarët e tij politikë, Vjosa Osmanin (LDK), Kadri Veselin (PDK) dhe Albin Kurtin (Vetëvendosje), të tre këta kandidatë për të marrë postin e kryeministrit në zgjedhjet e 6 tetorit.

Sipas tij, kandidatja e LDK-së për kryeministre nuk ka folur deri më tash fare për ekonomi, Kurti synon të kthejë rendin agrar në vend, ndërsa siç tha ai, Veseli as që kuptohet se për çfarë flet.“I kam përcjellë kolegët e mi, Vjosa është juriste edhe unë jam jurist. Kadriu nuk e di profesionin që e ka përveç inteligjencës – ka kryer diçka me sa di në Greqi, dhe e kam përcjellë Albinin. Albini po do të na kthejë në kohë të agrarit, kjo është logjika e tij, as komuniste nuk janë… Për Vjosën, ende nuk e kam dëgjuar që e ka përmendur ekonominë. Për Kadriun, besoni ia vë mendjen kur del, nëse e di çka është duke folur – qe! Në ia pastë bë dikush një analizë të dy rreshtave të premtimeve që po i jep – qe, në e ditë se çka është duke folur – qe”, tha ai.

E si kryeministër i Kosovës, Haradinaj tha se do të fokusohet në zhvillimin ekonomik të vendit, me fokus krijimin e kushteve më të mira të të bërit biznes për sipërmarrësit.

loading…