Ministrja

Haradinaj-Stublla takoi koordinatoren për Zhvillim të OKB-së, Ulrika Richardson

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, deklaroi sot se mbrojtja e të drejtave të njeriut, fuqizimi i rolit të të rinjve dhe gruas në shoqëri, si dhe projektet në edukim, me përfshirje edhe të komuniteteve, e kanë bërë UNDP-në partnere të rëndësishme në ndërtimin e Kosovës. 


Ajo i bëri këto komente në takimin që zhvilloi me koordinatoren për Zhvillim të OKB-së në Kosovë, Ulrika Richardson.

“Sot pata kënaqësinë të shpreh falënderimin tim dhe të institucioneve të vendit për gjithë këtë angazhim të UNDP-së, konkretisht të koordinatores për Zhvillim të OKB-së në Kosovë Ulrika Richardson”, tha Haradinaj-Stublla.

Ajo shprehu përkushtimin e ministrisë që drejton për të vazhduar bashkëpunimin dhe për të avancuar me projekte të përbashkëta nga fondi i besimit të Objektivave për Zhvillim të Qëndrueshëm – SDG, në favor të fuqizimit të rolit të institucioneve të Kosovës dhe rrugës politike e diplomatike të vendit.