Haradinaj-Stublla numëron dështimet e Qeverisë Kurti: Këta jeni ju

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka reaguar me ashpërsi ndaj deputetëve të Vetëvendosjes.

Ajo ka numëruar shumë prej dështimeve të Qeverisë Kurti.

Haradinaj-Stublla ka thënë se Qeveria Kurti ka dëmtuar në masë të madhe misionet e jashtme.

“Na kujtohen deputetë këtu që na kanë uru njohje nga Xhamajka. Ju kujtohet me Xhamajka, era e ndryshimit. E keni hedh idenë për korridorin në Adriatik për Serbinë. Qeveria Kurti. Çnjohja e Sierra Leonet. E keni sjell në nivelin ma të ulet raportin me SHBA. Keni pranu teste nga Serbia. Ju kujtohet edhe kjo. Keni defunksionalizu shërbimin e jashtëm. E dini shumë mirë, çfarë vendime arbitrare ka marrë në kohën sa ka qenë i shkarkum. Keni defuksionalizu shërbimin e jashtëm në Hagë, në prag të akuzave të Speciales. E keni listën se kë e keni tërhjekë nga misioni jonë në Hagë”, ka thënë ministrja.

Ajo po ashtu ka përmendur edhe heqjen e taksës nga Qeveria Kurti. Ka thënë se po të mos hiqej taksa, Kosova mund ta kishte edhe marrëveshje përfundimtare me Serbinë.

“Po të mos e hiqte taksën Kryeministri Kurti, dhe të mos e mashtronte opinionin me reciprocitet, Kosova nuk do të rrëshqiste në dialogun me temat teknike. Ndoshta edhe do ta kishte të nënshkruar marrëveshjen përfundimtare me Serbinë. Në mbledhjen e parë të Qeverisë e keni tërheqë aplikimin në Interpol. Kjo është politika juaj e jashtme. Ia keni humbur Kosovën momentumin për marrëveshjen momentale. Ministria e Punëve të Jashtme e Diasporës, nuk ka asnjë marrëveshje me Daçiqin”, tha ajo.

Ministrja pastaj ka replikuar ndaj deputetëve të VV-së, Hajrullah Çeku dhe Gazmend Gjyshinca, të cilët e akuzuan për mosdije.

“E keni treguar diturinë dhe suksesin e juaj në 50 ditë të qeverisë. Kjo është logjika juaj, me nejt në shtëpi dhe me ia lanë këshilltarëve me udhëheqë kabinetin”, ka thënë ajo.