Haradinaj: Shëndetsia prioritet për qeverinë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti në një takim pune drejtorin Ekzekutiv të Spitalit Rajonal të Pejës, Skender Dreshaj, së bashku me zëvendësministrin e Shëndetësisë, Ali Berisha.

Me këtë rast, siç njofton komunikata nga zyra e kryeministrit, Haradinaj u njoftua nga drejtori Skender Dreshaj për gjendjen aktuale në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë, i cili njëkohësisht kërkoi mbështetjen e Qeverisë për çështjet si infrastruktura e sallave dhe urgjencës, pajisjet mjekësore për funksionalizimin e të gjitha reparteve në këtë spital.

Haradinaj duke i falënderuar të gjithë mjekët për përkushtimin e tyre në misionin që e kanë, shprehu gatishmërinë që t’iu ofrojë përkrahje në fusha që ndikojnë në mirëqenien e pacientëve.

“Qeveria vazhdon ta ketë në prioritet sektorin e shëndetësisë. Fatmirësisht jemi dëshmitar që gjendja e keqe që ka qenë me vite të tëra në këtë institucion kaq të rëndësishëm, ka ndryshuar dhe do të ndryshojë për të mirë edhe në të ardhmen”, tha ai duke përmendur faktin se që në fillim të mandatit, Qeveria ka rritur buxhetin për shëndetësi dhe se tani po punohet që të ndryshojë edhe metoda e dhënies së shërbimeve, duke qenë sa më të përshtatshme për pacientët.