Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, pas takimit me kryeministrin Albin Kurti e ka bërë të qartë se AAK-ja nuk do të përfshihet në qeverisje për nënshkrimin e marrëveshjes finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“E përfunduam takimin, tema ishte marrëveshja me Serbinë, pra marrëveshja reciproke. E diskutuam procesin, marrëveshjen, i diskutuam sfidat që i ka Kosova në këtë proces. Pra ishte një proces me përmbajtje, kemi diskutuar përmbajtjen e një marrëveshje Kosovë- Serbi”, tha Haradinaj, raporton Demokracia.com.
Se çka përmban ajo marrëveshje dhe a u përmend drafti franko- gjerman, Haradinaj u shpreh se kanë diskutuar të gjitha nenet.
“Diskutuam për të gjitha nenet, jemi munduar të japim kontributin tonë, do të vazhdojmë të japim kontributin si Aleancë, që Kosova në këtë proces të arrijmë sukses. Besoj që është e rëndësishme që ky proces ta ketë vulën e Amerikës, sepse nuk mund të konsiderohet si i sigurt pa nënshkrimin dhe vulën e Amerikës, besoj shume në këtë, e kjo ishte kërkesë e imja që ta kishte garancinë e Amerikës. Marrëveshja finale duhet të ndodhte në Uashington”, u shpreh Haradinaj.
I pyetur nga gazetarët se sa janë gjasat që AAK-ja të përfshihet në qeverisje në momentin kur do të nënshkruhet kjo marrëveshje, Haradinaj e ka hedhur poshtë një gjë të tillë.
“Duhet ti marrim parasysh vendimet e dialogut, por duhet të jemi sa më serioz në këtë proces. Duhet të punojmë që Kosova të del e suksesshme nga ky proces, duhet të jemi sa më serioz, duhet të punojmë që Kosova të del e suksesshme”, u shpreh ai







