Haradinaj mbështet krijimin e Fondit të Sigurisë: Agresioni rus në Ukrainë, kërcënim për Kosovën

Kryetari i AAK-së ka thënë se agresioni rus në Ukrainë është kërcënim edhe për sigurinë e Kosovës. 

Haradinaj përmes një shënimi në Facebook ka thënë se pozicionimi i qartë i Serbisë në krahë të Putinit është kërcënim serioz për Ballkanin.

“Agresioni rus në Ukrainë dhe pozicionimi i qartë i Serbisë krahas Putinit dhe Rusisë, është kërcënim serioz për sigurinë në Ballkan, veçanërisht në vendin tonë”, tha ai.

I pari i AAK-së thotë se institucionet e Kosovës duhet të marrin veprime të shpejta.

“Kjo situatë kërkon veprim të shpejtë, vendime efikase, të nevojshme e të përgjegjshme të gjitha institucioneve të vendit”.

Haradinaj ka shprehur mbështetje për krijimin e Fondit të Sigurisë e që sipas tij ishte kërkesë e vazhdueshme e tij.

“Në këtë frymë, mbështes vendimin e Qeverisë për krijimin e Fondit të Sigurisë, kërkesë kjo e vazhdueshme e Aleancës dhe e imja. Besoj që ky vendim i qeverisë duhet të shndërrohet edhe në Ligj i cili do të votohej në Kuvend”.

Haradinaj thotë në fund se për çështje të sigurisë, “Aleanca gjithnjë është e rreshtuar aty ku është interesi nacional”.