Haradinaj: Kurti e Osmani kanë hy në obligime gjatë fushatës për ta hequr taksën

Sipas ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, kryeministri i ri Albin Kurti dhe kryeparlamentarja Vjosa Osmani, kanë hyrë në obligime gjatë fushatës zgjedhore “duke ofertuar heqjen e taksës ndaj mallrave serbe”.

Në Rubikon të KTV-së, Haradinaj e ka quajtur të palogjikshme idenë për reciprocitet të plotë me Serbinë. Sipas tij, një masë e tillë do të ishte “nën një prag të cilin e kemi caktuar ne për njohje”.

“Kurti është dashur të thotë se taksa është pak. Nuk pajtoj me Haradinajn. Dua masa shtesë. Këta kanë ofertuar gabim. Këta do të vinin gjithqysh në pushtet. Nuk ka pas nevojë të ofertonin taksën për të ardhur në pushtet. Janë munduar të dilnin më në interes. Kjo është mungesë e njohjes së politikës së jashtme. Është goxha zhveshje politike me ra më pak se një qeveri paraprake. Çdo qeveri që vjen duhet të rrisë buxhetin, pagat, investimet, planin rajonal e ndërkombëtar duhet ta shtojë e jo të bie nën diçka që ka bërë dikush”, ka thënë fillimisht ai.

Haradinaj ka thënë se është gëzuar kur “në pushtet erdhën njerëz që s’mund të shantazhohen me Gjykatën Speciale”. Megjithatë, ka thënë se “këta të dy kanë një peng diku, sepse është e pakuptimtë kthimi në këtë gjendje”.

“Nëse ndodhë kthimi i pushtetit ekonomik të Serbisë nuk ndodhë pa ndonjë kundërvlerë dhe të na tregojnë cila është kundërvlera që këta po ja kthejnë pushtetin ekonomik atyre që kanë bërë gjithë ato gjëra në Kosovë. Nuk ka logjikë përse po ja kthejë tregun Serbisë, unë mendoj që ka diçka me të thellë këtu. Nëse po kthehen këtu, po ia kthejnë pushtetin ekonomik Serbisë për të blerë armë. Atij i kanë kërkuar shumë gjëra ndërkombëtarët por s’ka pranuar. Nuk mendoj se po e bën për këtë. Ose janë financuar diku në zgjedhje dhe kanë hy në obligime, kush ua ka bërë fushatën se zakonisht atje lindin idetë e reja. Nuk ka logjikë tjetër. Nëse s’është kjo, çka është pra?” ka shtuar Haradinaj.

Sipas Haradinajt, “një kryeministër normal do të shikonte se çka do të mund të shtonte për t’ia treguar vendin Serbisë, e jo që të kthehet nën atë masë”.