Kryeministri

Haradinaj kundër deklaratave të Thaçit për bashkimin e Luginës me Kosovën

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ditën e djeshme pas takimit me delegacionin shtetëror për dialog me Serbinë, ku morrën pjesë edhe ambasadorët e QUINT-it, në një konferencë për media ka thënë se Kosova po pretendon zgjerimin e kufijve duke bashkuar luginën e Preshevës me Kosovën.

Por kundër kësaj ideje po shfaqet kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj.

Haradinaj sot pas mbledhjes së Qeverisë mbajti një konferencë për media ku u pyet edhe rreth deklaratave të Thaçit.

Ai nuk zgjodhi të diskutonte rreth kësaj teme duke thënë se është temë e mbyllur dhe se është prononcuar edhe më herët rreth saj.

“Presidenti i vendit sot ka bërë një veprim të mirë, duke nënshkruar ligjet për ushtrinë ku Kosova zyrtarizoi krijimin e ushtrisë. Kjo ushtri do të shërbejë për siguri të vendit, për ruajtje të kufijve dhe lëvizja e këtyre kufijve që njihen edhe nga Gjykata Ndërkombëtare, paraqet rrezik për rajonin. Sa i përket deklaratave të presidentit për luginën e Preshevës, unë nuk dua t’i komentoj këto deklarata, por sa për qytetarët shqiptarë që jetojnë atje, besoj se shpirtërisht shqiptarët janë bashkë kudo që jetojnë”, ka thënë Haradinaj, përcjell Ballkani.info. /Ballkani.info/