Haradinaj: Kufiri me Malin e Zi do të shenjohet pas korrigjimit

Salla e Hotel Dukagjinit ishte e mbushur përplotë, në pritje të kryetarit të AAK-së Ramush Haradinaj.

Një takim i nisur si darkë pune, u kthye në iftarin e parë për këtë vit, iftar që Haradinaj e ndau me përfaqësuesit e fshatërave kufitare me Malin e Zi, të rajoneve të Rugovës dhe Podgurit.

Haradinaj ka falenderuar të pranishmit për pjesëmarrjen aq massive duke thënë se “e kemi pasur nijetin e mirë dhe na ka dal mirë”. Pasi është lutur për agjëruesit, Haradinaj ka hyrë drejt në temë. Ai ka lexuar nenin 3 të Ligjit për Demarkacionin të votuar nga Kuvendi gjatë kohës sa ai ishte Kryeministër i vendit.

Haradinaj ka thënë se përkundër ngjarjeve historike në periudha të ndryshme, Kosova dhe Mali i Zi sot janë aleatë që bashkohen nën Aleancën Veriatlantike NATO, ku Mali i Zi është anëtar e Kosova aspiron antarësimin.
Lideri i AAK-së ka sqaruar rëndësinë e Marrëveshjes së dy Presidentëve dhe ka theksuar se nëse nuk ka vullnet politik të bëhet korrigjimi në Qafën e Çakorrit dhe Kullën e Zhlebit, atëherë Kosovës i mbetet Gjyqi i Arbitrazhit.


Haradinaj ka theksuar po ashtu se duhet të kihet kujdes në përgatitjen e materialeve qoftë për korrigjim qoftë për arbitrazh, që Kosova të shenjojë kufirin aty ku është e drejta e saj. Ai ka kërkuar që asnjëri nga shtetet nuk duhet të provokohet nga faktorët që kërkojnë të destabilizojnë rajonin, por që kjo çështje të zgjidhet ashtu si i ka hije dy fqinjëve.