Kreu i LDK-së Isa Mustafa është takuar me kreun e AAK-së, Ramush Haradinaj.
Haradinaj ka deklaruar se është pro rrëzimit të qeverisë Kurti.
Ky takim erdhi pak minuta para takimit të grupit parlamentar që të pajtohen për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti
Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj vendimin e tij për ta rrëzuar Qeverinë Kurti e ka shfaqur edhe përmes rrjetit të tij social në Facebook.
Ai e ka quajtur Qeverinë Kurti një Qeveri me jetëgjatësinë më të shkurtër, por e ka cilësuar si Qeverinë më të dëmshme, transmeton Ballkani.info.
“Sot takova ish-Kryeministrin dhe Kryetarin e LDK-së, z. Isa Mustafa për të diskutuar Mocionin e Mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti. E informova z. Mustafa se AAK do të votojë për këtë mocion, sepse Qeveria Kurti jo vetëm që do të jetë Qeveria më jetëshkurtër por edhe më e dëmshmja për Kosovën. AAK përkrah një zgjidhje të shpejtë pas rrëzimit të Qeverisë përbrenda institucioneve të vendit”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Mbrëmë LDK vendosi të dalë nga Qeveri pasi kryeministri Kurti e kishte shkarkuar nënkryetarin e LDK-së, Agim Veliun nga posti i Ministrit të Brendshëm.








