Haradinaj i përgjigjet deklaratave të Vuçiqit: Kosova do të jetë anëtare e NATO-së

Pas kërcënimeve nga Serbia për luftë diplomatike kundër Kosovës, ka reaguar ashpër ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Përmes një reagimi në llogarinë e tij në Facebook, Haradinaj ka thënë se për shkak se Kosova ka mbetur me institucione në detyrë, Serbia iu është rikthyer kërcënimeve të saj të zakonshme kundër Kosovës.

“Fqinji ynë agresiv po u kthehet kërcënimeve të tij të zakonshme kundër Shtetit tonë! Ai ndihet i fortë tani kur Kosova ka një Qeveri të shkarkuar dhe një President të dobët në detyrë. Ne kemi nevojë për një President i cili qëndron fortë për Kosovën dhe është i denjë të përballet me kundërshtarin agresiv, Serbinë”, ka shkruar Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se në mandatin e tij si president, Kosova do të anëtarësohet në NATO, që sipas tij, kjo do të ishte përgjigja më e mirë ndaj deklaratave luftënxitëse të Vuçiqit.

“Ndërsa e krijuam ushtrinë në kohën sa isha Kryeministër, një punë që ishte kundër bindjes së fqinjit tonë, në mandatin tim si president, Kosova do të bëhet pjesë e NATO-s! Ky është çelësi i sigurisë dhe i paqes në rajon dhe përgjigja më e mirë në deklaratat luftënxitëse të Vuçiqit!”, është shprehur Haradinaj.

Postimi i tij i plotë:

Fqinji ynë agresiv po u kthehet kërcënimeve të tij të zakonshme kundër Shtetit tonë!

Ai ndihet i fortë tani kur Kosova ka një Qeveri të shkarkuar dhe një President të dobët në detyrë.

Ne kemi nevojë për një President i cili qëndron fortë për Kosovën dhe është i denjë të përballet me kundërshtarin agresiv, Serbinë.

Ndërsa e krijuam ushtrinë në kohën sa isha Kryeministër, një punë që ishte kundër bindjes së fqinjit tonë, në mandatin tim si president, këtë ushtri dhe Kosovën pretendoj t’i bëj pjesë të NATO-s!

Ky është çelësi i sigurisë dhe i paqes në rajon dhe përgjigjja më e mirë në deklaratat luftënxitëse të Vuçiqit!