Hapet e pamja për nënën e Kadri Veselit, pamje prej atje

Në Broboniq të Komunës së Mitrovicës, tashmë është hapur e pamja për nënë e ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli, e cila vdiq sot.

Në pamjet e publikuara në media, shihen qytetarët duke shkuar për kryeshnosh.

Ndryshe, sot ka vdekur në moshën 93-vjeçare, nëna e ish-kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, Ajshe Veseli.

Ajo do të varroset sot në fshatin Broboniq të Mitrovicës.

Ende nuk dihet nëse Specialja do ta lirojë Veselin për ceremoninë e varrimit.

Zëdhënësja e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Angela Griep, në një përgjigje me shkrim për Gazetën Express, ka deklaruar se Paneli përgjegjës do të vendosë për kërkesën që Kadri Veseli të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të nënës së tij që vdiq sot në mëngjes. Ajo s’tregoi nëse një kërkesë e tillë nga ish-kryetari i PDK-së është bërë tek ky panel.

Griep ka thënë se Specialja u lejon personave që janë në paraburgim të bëjnë kërkesa për raste të tilla.

“Korniza ligjore e Dhomave të Specializuara të Kosovës u lejon personave të ndaluar që të bëjnë kërkesa te paneli përgjegjës, kur ka bazë bindëse humanitare. Paneli do të vendosë për këto kërkesa”, tha Griep.

Zëdhënësja e Speciales nuk dha detaje shtesë nëse Kadri Veseli ka bërë kërkesën për të marrë pjesë në varrim.

“Të gjitha dokumentet publike, përfshirë dokumentet e dorëzuara nga Mbrojtja dhe vendimet nga gjykatësit, janë të publikuara në uebfaqen e Dhomave të Specializuara të Kosovës”, tha ajo kur u pyet nëse Veseli ka bërë kërkesë tek Paneli përgjegjës.