Ish komandanti

Halitjaha: Ushtria u vonua, por mirë që të gjithë u bënë bashkë në fund

Dje, në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, janë votuar projektligjet për transformimin e FSK-së në ushtri.

Deputetët e pozitës dhe opozitës me unanimitet të plotë votuan pro këtyre projektligjeve.

Padyshim që këtij suksesi iu gëzuan të gjithë, ku pas shumë përpjekjeve dhe kundërthënieve, Kosova po bëhet me ushtrinë e saj.
Në një prononcim për Ballkani.info ish-Komandanti i Zonës Operative të Pashtrikut, Sadik Halitjaha duke komentuar votimin e këtij projektligji, ka folur me shumë nostalgji dhe superlativ për celulat e para të krijimit të UÇK-së.

“UÇK-ja u krijua nga idealistët, ilegalistët e nacionalistët, nga zemra e popullit për t’u çliruar nga pushtuesi serbosllav. UÇK-ja ishte dhe mbetet vlerë sublime e më briliantja e historisë së popullit tonë. Qëllim kishte lirinë, shtetin e pavarur dhe Kosovën Republikë. Përpjekjet ndër vite, duke ruajtur këtë bërtham si TMK-në e FSK-në. Tani kjo aspiratë sa e domosdoshme për mbrojtjen e sovranitetit e të lirisë së Kosovës dhe ndihmës në ruajtjen e paqës, në rajon e më gjërë. U plotësua amaneti i deshmorëve dhe dëshira e luftetarëve të UÇK-së, dhe e të gjithë popullit tonë”, ka thënë Halitjaha.

Halitjaha, tutje vazhdon me tone kritikuese kundrejt udhëheqësve të shtetit, ku sipas tij, lidershipi nuk i ka dërguar me kohë proceset tutje

“Humbja e kohës në ndërtimin e strukturave shtetërore ishte dobësi e lidershipit në shtetformim. Me vite është vonuar shpallja e Pavarësisë së Kosovës, AKI-ja dhe Ushtria. E krejt këto kanë koston e ngecjes së zhvillimeve në procese, pëkrahë popujve dhe shteteve të tjera. Ndonjëherë vërtetë duhet pjekur kushtet për t’u arritur diçka e rëndsishme, për vendin dhe popullin. Mirë është që qeveria, parlamenti e gjithë lidershipi i Kosovës të janë të kujdesshëm në vendim-marrje sikur kujdesi i bukpjeksit! Po e nxjerre bukën parakohe del e pa pjekur, po e vonove do të digjet. Prandaj, vendimet në kohë janë shumë të domosdoshme. Shumë qartë duket se kur është çështje e rëndësisë së veçantë për vendin të gjithë jemi bashkë, siç votuan këtë ligj me 101 vota për ushtrinë”, ka thënë ai.

Tutje ish-Komandanti Halitjaha, duke folur për dashurinë ndaj atdheut, ai shprehet i indinjuar me ata të cilët shtetin e shohin karrigë.
“Ne shqiptarët e dojmë shumë atdheun, dhe kjo u dëshmu në shumë rrethana historike. E vërteta është që ne nuk e duam njëri-tjetrin sidomos, kur është në pyetje pushteti. Kjo e keqe historikisht ka qenë prezente, si dhe bajraktarizmi dhe lavdia e vetvetës karshi tjetrit duke shpifur e hipur mbi supet e tjetrit për interasa e lavdin mveshur vetit”, thekson ai.

Halitjaha, fjalën e tij e përfundon me urimin që Forcat e Sigurisë së Kosovës të jenë sa më shpejt në NATO.“Uroj që sa ma shpejt në NATO”. /Ballkani.info/