Halimi për Qeverinë Kurti: Patriotizmi’ folklorik e virtual është dritëshkurtër

Zëdhënësja politike e LDK-së, Sibel Halimi ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në vend, duke thënë se paqja dhe siguria duhet të jenë prioritet në këto kushte.

Halimi ka kërkuar që kryeministri Kurti të jetë më transparentë për dialogun dhe duhet të negociojë duke pasur parasysh historinë tonë të dhimbshme.

Shkrimi i plotë:

Paqja dhe siguria duhet të jenë prioritet në këto rrethana politike në të cilën gjendet vendi ynë. Sado që në pamjen e parë duket e rëndësishme çështja e targave, është e pakrahasueshme me maturinë që duhet të tregoj qeveria karshi jo vetëm aleatëve tanë, por edhe frymën paqësore që duhet ta ruaj.

Gjuha e kujdesshme e përafruese, sjell normalitetin që na duhet aq shumë. Janë urtësia në udhëheqje, maturia në qëndrime dhe largpamësia në vendimmarrje, ato që e ruajnë dhe e zhvillojnë shtetin. Ndërsa ‘patriotizmi’ folklorik e virtual është dritëshkurtër, pasojat e së cilit mund të mos i ndjejmë sot, por më vonë.

Qytetarët e Kosovës kanë nevojë për një kryeministër që në radhë të parë është transparent, dhe i informon ata se kah po shkon procesi i dialogut. Së dyti, kryeministri duhet të negocioj në emrin tonë, duke e pasur parasysh gjithë historinë tonë të dhimbshme në të cilën kemi kaluar si popull, nga ku i kemi krijuar aleancat strategjike që i kemi sot. Këto aleanca nuk janë të mirëqena, nuk janë të garantuara. Ato duhen ruajtur dhe mirëmbajtur, duke ndërtuar raporte bashkëpunimi me aleatët tanë, ShBA e BE.

Ndaj, në esencë, njohja reciproke, sovraniteti dhe ruajtja territoriale do ta krijonte domosdoshmërisht edhe implementimin e idesë së targave, është logjikë e kauzalitetit shkak – pasojë. Rrjedhimisht, do të duhej që targat të pezullohen, para se të fillonte takimi në Bruksel.

Duke u krijuar një situatë e tillë, kemi transformim të imazhit të politikës serbe në sytë e partnerëve ndërkombëtarë – nga agresor në viktimë e kjo kurrsesi nuk duhet të ndodhë.