Guxo thotë se e mbështet “bashkërendimin” e institucioneve me SHBA-në

Partia Guxo ka reaguar mbi gjendjen në veri, duke thënë se grupet e dirigjuara ekstremiste kriminale plasuan kërcënime në publik.

Kjo parti ka dënuar sulmet ndaj KFOR-it, Policisë së Kosovës e gazetarëve dhe i ka dhënë mbështetje të plotë institucioneve të Kosovës “në përpjekjet demokratike për qeverisje lokale, për rend, rregull dhe ligj”.

“Partia Guxo mbështet fuqishëm qëndrimin e institucioneve se kryetarët e komunave duhet të punojnë nga objektet zyrtare komunale dhe, natyrisht, në çdo ndërtesë zyrtare e qeveritare duhet të valojë flamuri i shtetit të Kosovës”.

Guxo ka thënë tutje se mbështet edhe “bashkërendimin e bashkëpunimin e ngushtë” të institucioneve të Kosovës me partnerë ndërkombëtarë.

“Po ashtu, Partia Guxo mbështet komunikimin e sinqertë e të vazhdueshëm, bashkërendimin e bashkëpunimin e ngushtë të të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës me misionet e me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me të cilin partneritet e bashkëpunim vëllazëror, Republika e Kosovës ka trasuar e ndërtuar rrugën e vet drejt lirisë, pavarësisë, demokracisë e zhvillimit të saj si shtet i pavarur, sovran e unik”.